Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje në Lezhë për shkak të përmbytjeve.
Një grua e moshuar ka ndërruar jetë, por për shkak të motit të keq, familjarët nuk kanë mundur ta përcjellin në banesën e fundit ditën e djeshme.
Kjo pasi rruga që lidh fshatin Torovicë me fshatin Malecaj në Njësinë Administrative Balldren është e bllokuar nga uji dhe nuk mund të kalohet me mjete të vogla.
Në këto kushte, familjaret kërkuan ndihmën e emergjencave për të përcjellë në varreza të ndjerën.
“Uji ka arritur në 70 cm dhe lëvizja është e pamundur. Në këto kushte ju bëmë kërkesë Emergjencave Civile të Bashkisë dhe menjëherë janë vënë në lëvizjë. Kanë ardhur mjetet e Ushtrisë dhe po ndërhyjnë për të kryer operacionin. Këtu situata është shumë e vështire nga përmbytjet, ku siç e shikoni e gjithë fusha është kthyer në liqen dhe shumë fëmije janë të izoluar”, thotë Ndue Gila familjar i së ndjerës.
Përballë kësaj situate, u desh ndërhyrja e mjeteve të Ushtrisë dhe traktorëve për të transportuar të ndjerën dhe familjaret e saj, për në rrugën kryesore që lidh Torovicën me Lezhën.
Është dashur që trupi i të ndjerës të futet në një mjet bujqësor dhe më pas të kalohet në mes të rrugës në arkivol dhe makinën e funeralit për t’u përcjellë në banesën e fundit.
Operacioni u drejtua nga prefekti i Lezhës Gjergj Prendi, i cili thotë se situata në tërësi është përmirësuar, por nuk mungojnë problematikat.