Dy të rinj janë arrestuar nga policia e Lushnjes pasi kanë tentuar të grabisin një të moshuar.
Sipas informacionit zyrtar të policisë ata i kanë hedhur sprajt në fytyrë një 64-vjeçare dhe duke ushtruar dhunë e kanë mbyllur atë në një dhomë të kësaj banese. Më pas ata kanë kontrolluar shtëpinë për sende me vlerë por nuk kanë gjetur gjë dhe janë larguar.
Pas njoftimit ata kanë rënë menjëherë në prangat e policisë.
NJOFTIMI I PLOTE
Lushnjë
Ushtruan dhunë ndaj të moshuarës, me qëllim vjedhjen në banesën e saj, Policia zbardh ngjarjen në kohë rekord, identifikon dhe arreston në flagrancë 2 autorët.
Vihen në pranga një 18-vjeçar dhe një 16-vjeçare.
Gjatë ditës së djeshme, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, 2 shtetas kanë hyrë në banesën e shtetases L. Z., 64 vjeçe, i kanë hedhur sprajt lotsjellës në fytyrë, kanë ushtruar dhunë ndaj saj dhe e kanë mbyllur atë në një dhomë të kësaj banese. Më pas kanë kontrolluar në banesë për sende me vlerë, por nuk kanë gjetur dhe janë larguar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit u ngrit grupi hetimor dhe pas një pune të mirorganizuar operative dhe profesionale u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i 2 autorëve:
J. K., 18 vjeç dhe K. B., 16 vjeçe, të dy banues në Lushnjë.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale sprajti lotsjellës që ata kishin përdorur me qëllim realizimin e vjedhjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim.
