Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Kryesore

E vërteta e “kompromisit të Beratit”

20:24 / December 29, 20198 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
paskal milo
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Prof. Paskal Milo

Gjatë studimeve të mia shumëvjeçare për Luftën Anti-fashiste Nacionalçlirimtare, kam konstatuar shpesh herë falsifikime të të vërtetave historike ose keqinterpretime të tyre nga ish-kundërshtarë të saj, bashkëpunëtorë të pushtuesve fashistë, nga pasues biologjikë profesionistë ose të rreshtuar politikisht në skalionet e së djathtës shqiptare që ngatërron antifashizmin me komunizmin. Por nga ana tjetër, kam vënë re se dhe midis ish-luftëtarëve antifashistë, ish-drejtues të formacioneve të LANÇ, në kujtime të tyre apo në libra të ndryshme, aq më tepër nga trashëgimtarë të tyre apo individë të ndryshëm që kanë shkruar për luftën, me ose pa dashje, ose për t’u quajtur origjinalë, ka tendenca për të zmadhuar e zbukuruar ngjarjet dhe episodet ose për t’i interpretuar ato mbi bazën e simpative ose antipative personale, për krenari familjare, fisnore apo krahinore.

Me rastin e 75 vjetorit të Çlirimit, fenomene të tilla u shfaqën në botime, në artikuj, diskutime, konferenca etj. Në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, po marr vetëm një rast: atë çfarë është njohur në historinë e luftës ANÇ si “kompromisi i Beratit”. Balli Kombëtar, që në kohën e luftës dhe sot, dishepuj të tij këtë kompromis e kanë cilësuar dhe e cilësojnë si një shembull konkret të bashkëpunimit midis partizanëve dhe pushtuesve gjermanë nazistë të sapoardhur në Shqipëri. Ky interpretim si atë herë edhe tani ka shërbyer si “argument” për të justifikuar bashkëpunimin e Ballit Kombëtar me nazistët gjermanë. Ka të tjerë që nga pozita krahinore, afërsi familjare ose simpati personale ndaj protagonistëve të kohës e quajnë kompromisin si një veprim të zgjuar, si paqe e përkohshme që shpëtoi Beratin nga shkatërrimi. Ka të tjerë që këtë veprim e kanë interpretuar si urdhër e direktivë të udhëheqjes qendrore të PKSH-së e të Shtabit të Përgjithshëm që në këtë kohë ndodheshin në Labinot të Elbasanit.

Para se të përpiqemi të vërtetojmë me dokumente sesi rrodhën ngjarjet, dy fjalë për lexuesit që mund të mos e dinë se çfarë ka qenë Kompromisi i Beratit si ngjarje historike. Pas kapitullimit të Italisë fashiste në 8 shtator 1943, në 9 shtator duke u gdhirë 10 shtatori, forcat gjermane të dislokuara në Greqi marshuan me shpejtësi dhe brenda ditës kapën Tiranën dhe qytetet kryesore të Shqipërisë së Jugut. Në 11 shtator, forcat gjermane pushtuan aeroportin e Kuçovës dhe u dislokuan në rrethinat e qytetit të Beratit. Komanda e tyre ishte e vendosur në Otllak. Ndërkohë partizanët kishin hyrë në qytetin e Beratit dhe shtabi i qarkut me në krye komisarin Gjin Marku e komandant Mestan Ujaniku qëndronin në zyrat e Prefekturës. Gati në të njëjtën kohë, në qytet hynë edhe forca të Ballit Kombëtar, komanda e të cilave u vendos në zyrat e Bashkisë së qytetit.

Forcat partizane te ura e Goricës ishin vendosur një postbllok për të kontrolluar hyrjet dhe daljet në dhe nga qyteti. Në Berat dhe jo vetëm aty u krijua një situatë e çuditshme, hutim e pritshmëri. Në shumë qarqe, forcat partizane e komitetet qarkore u kapën në befasi nga zhvillimi  i shpejtë i ngjarjeve dhe nuk dinin si të vepronin. Enver Hoxha që në 10 shtator tentoi t’u dërgoi komiteteve qarkore udhëzime ku theksonte se “armiku jonë kryesor sot është Gjermania” dhe aleatët mund të zbarkonin në bregdetin shqiptar, se PKSH-ja dhe Këshillat Nacionalçlirimtare duhej të përgatiteshin për marrjen e pushtetit dhe për luftë kundër Ballit Kombëtar.  Kjo qarkore e Enver Hoxhës nuk ka arritur kudo shpejt për arsye që kuptohet, për kohën, pra, edhe në Berat. Në këto rrethana, Gjin Marku arsyetoi siç ka shënuar në autobiografinë e tij që ndodhet në dosjen e tij në ish-arkivin e Komitetit Qendror të PPSH-së: “Gjermanët dhe Balli ishin më të fortë se na. Atëherë ne për një kohë dymbëdhjetë ditë lejuam qëndrimin e tyre në qytet pa i goditur……”

Gjermanët, pa u penguar nga askush, hynë në qytet me një kolonë makinash të prira nga një autoblindë dhe shkuan në Uznovë ku ishin kapanonet e ushtrisë italiane, çarmatosën dhe zunë rob ushtarët italianë të ndodhur aty, morën shumicën e armatimeve dhe të ushqimeve dhe u rikthyen përsëri në bazën e tyre jashtë qytetit. Komanda gjermane me argumentin se atyre nuk u duheshin qytetet, por vetëm rrugë-kalimet e lira sipas nevojave propozuan arritjen e një marrëveshjeje me forcat partizane të cilën Gjin Marku e pranoi. Me ndërmjetësinë dhe përkthimin e oficerit të artilerisë, Irfan Peshtani, marrëveshja u arrit. Komandot ushtarake të të dy palëve u takuan në urën e Goricës dhe që aty, të shoqëruara nga forca respektive u futën bashkërisht në qytet dhe hynë në Prefekturë ku duhet të jetë nënshkruar marrëveshja. Nuk ekziston ose të paktën deri tani, nuk është gjetur as edhe një kopje e kësaj marrëveshjeje në arkivat shqiptare, por as edhe në ato gjermane. Por atë e kanë konfirmuar dëshmitarë pjesëmarrës në nënshkrimin e saj. Gjithë ceremonia u ndoq nga larg edhe nga forcat e Ballit. Në këtë kohë, në mes të forcave të Ballit ishte dhe Ali Këlcyra dhe Abaz Ermenji.

Enver Hoxha dhe Shtabi i Përgjithshëm, i mbyllur në Labinot për gati dy javë nuk kishte asnjë dijeni se çfarë po ndodhte në Berat. Ymer Dishnica dhe Nako Spiru të ndodhur në Tiranë e kishin marrë vesh Kompromisin e Beratit dhe e kishin njoftuar Enver Hoxhën diku nga dhjetë ditëshi i tretë i shtatorit, por nuk kishin patur asnjë reagim prej tij. Prandaj, në 1 tetor, në një letër tjetër që i dërgojnë i shkruanin: “Puna e Beratit, sot marrim vesh se gjermanët hyjnë lirisht. Një atitudë (qëndrim-PM) e tillë na bën shumë dëm në popull, i jepen armë Ballit. Çudi janë shokët dhe s’po marrim vesh sesi po ngjet kjo punë megjithëse neve ju kemi shkruar në ton të prerë e kategorikë.”

Vetëm në 1 tetor pas njoftimit që ka marrë nga Tirana Enver Hoxha dërgon qarkore e letra të rëndësishme komiteteve qarkore të PKSH-së në qarqe ku përcakton qëndrimet dhe objektivat e saj ndaj zhvillimeve, sidomos ndaj Ballit Kombëtar. Në këto letra, shfaqet edhe opinioni i tij i parë i dokumentuar për kompromisin e Beratit. Në to, ai shkruan: Në Berat, “gjermanët janë ke ura e Hasan Beut, pasi kontrollohen prej shokëve tonë kanë të drejtë të hyjnë në qytet dhe të blejnë plaçka. Këto gjëra s’na besohen që shokët tanë të kenë arrijtur në këtë degre (shkallë-PM). Të bëjnë të tilla kompromise, por flitet me insistim në popull…” Në këto letra, Enver Hoxha kritikon Gjin Markun si anëtar i K.Q. të PKSH-së dhe komisar i qarkorit të Beratit“ që shkruan një herë në mot” dhe që nuk informon.

Çështja e Kompromisit të Beratit siç del edhe nga letrat e shkëmbyera acaroi edhe klimën e marrëdhënieve mes Enver Hoxhës e Nako Spirut. Në 4 tetor, i pari i shkruan të dytit me ton nervoz se si është e mundur që Gjin Marku nuk u përgjigjet tri letrave të tij urgjente, e kritikon pse nuk ka marrë masa dhe pse nuk ka dërguar njeri në Berat dhe i thotë që të shkojë personalisht atje të takojë e të flasë me Gjin Markun.

Katër ditë më vonë, në 8 tetor, Nako Spiru i shkruan Enver Hoxhës po me ton nervoz dhe të vendosur: “Kur unë të shkrojta që të merren masa kundrejt Beratit nuk desha të të them të bësh ndonjë mrekulli, as të shtiesh topin. Unë donja të thonja që t’i caktohet qëndrimi që duhet të marrë dhe mundësisht të dërgohet ndonjë njeri. Pse unë nuk mund t’a urdhëroj Beratin pse më thonë kush je ti; unë vetëm i këshilloj, them se mendimi i K.Q.P është ky ose ky, etj. Prandaj nuk kuptoj hiç arsyen pse t’i bën një tiradë kaq të gjatë për atë gjë. Pse unë të shkruajta shkurt ajo s’është një arsye që të më keqkuptosh… Sa për tradhti puna është e kjartë. Kur ti vazhdon në rrugën e tyre, patjetër aty do të shkosh. Unë nuk i akuzoj si tradhtarë, por them se puna po i shpie në tradhëti. Un e di që ata e kanë nga hajvanllëku ma tepër (edhe nga oportunizmi pakëz)”.

Enver Hoxha, në 14 tetor, këmbëngul dhe i kërkon Nako Spirut që çështja e Beratit të zgjidhet sa më parë dhe e pyet përsëri nëse ka dërguar një njeri për të folur me Gjin Markun. Më në fund, në Berat, u dërgua Ramadan Çitaku dhe një person me pseudonimin Iso, të cilët mblodhën qarkorin dhe ku Gjin Marku dha shpjegimet për ngjarjen. Shtabi i Qarkut i dërgoi një raport edhe Shtabit të Përgjithshëm në lidhje me kompromisin. Nako Spiru i raportonte Enver Hoxhës më 8 nëntor 1943 për këtë mbledhje të Qarkorit të Beratit se Gjin Marku e pranoi gabimin dhe presin dënimin.

Gjin Marku nuk pati pasoja për shkak të kompromisit të Beratit veç shkarkimit nga komisar i qarkut dhe nga anëtar i K.Q. të PKSH-së. U mënjanua nga hierarkia partiake, por u ngarkua me detyra shumë të rëndësishme ushtarake: në mars 1944, u emërua komandant i Brigadës së 7-të dhe në nëntor, komandant i Divizionit të 6-të. Se çfarë ndodhi pas Lufte, është një kapitull tjetër. / Dita

“kompromisit të Beratit”
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Merz mbledh “Koalicionin e Vullnetmirëve” në Berlin, Edi Rama pjesë e takimit të nivelit të lartë për Ukrainën, Shqipëria në tryezën e sigurisë evropiane

15:02 / November 19, 2026

Ibrahimaj: Kredi me 0% interes për të rinjtë dhe subvencionim të qirasë deri në 50%, aplikimet përmes platformës “Shtëpia jote”

14:42 / November 19, 2026

Vrasja e Briken Sanajt te “Kodra e Diellit”, Prokuroria kërkon 35 vite burg për Vladimir Kolën

14:32 / November 19, 2026

Komisioni i Reformës Zgjedhore i drejtohet OSBE/ODIHR-it, kërkon ekspertë ndërkombëtarë

14:12 / November 19, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.