Skulptori Agim Rada ka përjetësuar në një vepër të tij në rrugën e ambasadave 2 korrikun e 1990, kur nisi dhe eksodi më i madh i shqiptarëve dhe përmbysja e një regjimi të egër komunist.
Gjatë ceremonisë së organizuar, ai tregoi dhe për njohjen e tij me kryeministrin aktual, Edi Rama me të cilin bashkë shëtisnin në atë kohë në këtë rrugë dhe që e quanin si jashtë shtetit.
“Ne jetuam një absurd që nuk e besoj se ka qenë i ngjashëm me absurd tjetër në botë. Ne ëndërronim lirinë, këtu përmendi qëparë Erioni kryeministrin. Duhet tu them se unë kam punuar me të atin e tij që kur kam qenë shumë i ri dhe deri ditën që ai ndërroi jetë dhe përpos respektit që kam për atë si një njeri i mrekullueshëm, unë rastësisht njihem dhe me Edin se ishte i biri i profesorit tim. Dhe te kjo rrugë këtu unë shpesh i thoja “Edi dalim jashtë shtetit”, qeshte, sepse unë e quaja sikur isha jashtë shteti kur shëtisja. Dhe këtu flisnim e flisnim kundër atij regjimi absurd barbar, që një i çmendur na çmendi të gjithëve, një anormal e piskopat na bëri të gjithëve gjysmë njerëz. Po shyqyr avash avash filluam të kapim jetën”, thotë ai.
