Kryeministri Edi Rama në fund të vitit të kaluar bëri disa ndryshime në qeveri që u finalizuan me votimin e dekreteve në Kuvend pak ditë më parë. Përpos ndryshimit të emrave, kreu i qeverisë riktheu edhe postin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ku emëroi Elisa Spiropalin. Ndërkohë që në mbledhjen e sotme të qeverisë është përcaktuar edhe fusha e përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet.
Vendimi i qeverisë për fushën e përgjegjësisë së ministres Spiropali
I. Miratimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, si dhe të kompetencave për realizimin e tyre, sipas këtij vendimi.
II. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e ushtron veprimtarinë e tij në këto fusha përgjegjësie shtetërore:
1. Në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, ndjek dhe bashkërendon veprimtarinë e qeverisë me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë (në vijim, Kuvendi) për:
a) hartimin dhe miratimin e programit të punës e të kalendarit të punimeve të Kuvendit;
b) procesin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave, si dhe dërgimin e të dhënave apo të informacioneve gjatë procesit ligjbërës të Kuvendit;
c) seancat e pyetjeve, interpelancat, peticionet, si dhe kontrollin që ushtrojnë komisionet e përhershme parlamentare mbi ministritë përgjegjëse apo autoritetet përgjegjëse të administratës shtetërore.
2. Përgatit dokumente apo mendime vlerësuese për projektaktet e propozuara për shqyrtim në Këshillin e Ministrave. Bashkërendon, nëse nevojitet, veprimtarinë e Këshillit të Ministrave, ministrive apo autoriteteve përgjegjëse shtetërore me institucionet e pavarura.
3. Përfaqëson Këshillin e Ministrave në marrëdhëniet e informimit të publikut për vendimmarrjet e Këshillit të Ministrave.
III. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për realizimin e fushës së përgjegjësisë, sipas pikës 1, të ndarjes II, të këtij vendimi, ka këto kompetenca:
1. Merr pjesë në mbledhjen e konferencës së kryetarëve të Kuvendit.
2. Bashkërendon programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit me programin politik të Këshillit të Ministrave.
3. Informon vazhdimisht dhe në kohë Kryeministrin, kur është rasti, edhe Këshillin e Ministrave, për programin dhe kalendarin e procesit ligjbërës të Kuvendit, si dhe për aktivitetet e tjera të tij.
4. Ndjek në mënyrë periodike ecurinë e procesit ligjbërës në Kuvend, nëpërmjet procesverbaleve dhe relacioneve që përpunohen gjatë shqyrtimit të projektligjeve dhe informon Kryeministrin për problematikat që mund të dalin gjatë këtij procesi.
5. Bashkërendon punën për pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit.
6. Kujdeset për dërgimin në komisionet e Kuvendit të relacioneve, të të dhënave apo dhe të informacioneve të kërkuara nga ministritë apo autoritetet përgjegjëse shtetërore gjatë procesit të:
a) shqyrtimit të një projektligji;
b) zhvillimit të një procedure pyetjesh, interpelance apo shqyrtimi të një peticioni.
7. Ndjek ecurinë në Kuvend të projektligjeve të ndërmarra me nismën e një deputeti apo njëzet mijë zgjedhësve:
a) duke bashkërenduar punën dhe duke u kujdesur për dërgimin pranë komisionit përkatës të Kuvendit të mendimeve nga ministria, në fushën e përgjegjësisë të së cilës është projektligji;
b) duke vlerësuar nëse përmbajtja e tyre harmonizohet me programin politik të Këshillit të Ministrave;
c) duke bashkërenduar punën me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për analizën për koston financiare që ka projektligji për buxhetin e shtetit, nëse do të ketë një efekt të tillë.
8. Njofton Kryeministrin për problematikat e konstatuara gjatë shqyrtimit në Kuvend të projektligjeve të ndërmarra me nismën e një deputeti apo njëzet mijë zgjedhësve.
9. Përfaqëson Këshillin e Ministrave në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit, ku shqyrtohen projektligje apo akte normative të ndërmarra me nismën e Kryeministrit.
10. Ndjek, së bashku me drejtuesit e institucioneve të pavarura, shqyrtimin në Kuvend të projektligjeve, që trajtojnë organizimin dhe funksionimin e këtyre institucioneve.
11. Kujdeset dhe bashkërendon procesin e një kontrolli parlamentar të ndërmarrë nga komisionet e Kuvendit me ministrinë apo autoritetin përgjegjës të administratës shtetërore, i cili është subjekt i kontrollit.
12. Bashkërendon punën dhe bashkëpunon me kryetarët e grupeve parlamentare për ecurinë e procesit ligjbërës.
13. Bashkërendon punën me kryetarin e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare për hartimin e kalendarit të seancave për pyetje, interpelanca, mocione të besimit apo mosbesimit.
14. Përfaqëson Këshillin e Ministrave në institucionet e ndryshme për paraqitjen e programit e të kalendarit të punimeve të Kuvendit, si dhe të përparësive të politikave të qeverisë.
15. Kujdeset për kryerjen e detyrave për përcjelljen në Kuvend të projektakteve normative.
16. Kujdeset dhe ndjek procedurat për shqyrtimin dhe miratimin në Kuvend të emërimeve që paraqiten me propozimin e Këshillit të Ministrave apo të ministrave përgjegjës.
IV. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për realizimin e fushës së përgjegjësisë, sipas pikës 2, të ndarjes II, të këtij vendimi, ka këto kompetenca:
1. Përgatit bashkërisht me ministritë e interesuara dhe paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave mendimin me shkrim për projektligjet e ndërmarra me nismën e një deputeti apo njëzet mijë zgjedhësve.
2. Nëse e vlerëson të nevojshme, jep mendim me shkrim për projektakte të veçanta, gjatë fazës së bashkërendimit të tyre, për përputhshmërinë e tyre me:
a) Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë;
a) programin politik të Këshillit të Ministrave;
c) kërkesat apo opinionet e dokumenteve politike dhe të raporteve të institucioneve të Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
3. Paraqet në Këshillin e Ministrave analiza, raporte, vlerësime apo rekomandime, të përgatitura nga grupe pune të ngritura me urdhër të Kryeministrit, në lidhje me zbatueshmërinë e normave juridike të caktuara apo për projektakte, të cilat synojnë zbatimin e reformave të rëndësishme, sipas programit të qeverisë.
4. Drejton ose bashkërendon veprimtarinë e grupeve ndërministrore apo ndërinstitucionale të punës për përgatitjen apo vlerësimin e projektakteve, sa herë që kjo i caktohet me urdhër të Kryeministrit.
5. Realizon, kur është e nevojshme, konsultime me grupe interesi, shoqërinë civile dhe/ose përfaqësues të ministrive, institucioneve të pavarura apo autoriteteve shtetërore përgjegjëse për projektligje të ndryshme dhe informon Këshillin e Ministrave në lidhje me këto konsultime.
6. Bashkërendon punën dhe trajton shqetësimet që kanë institucionet e pavarura apo institucione të tjera, në lidhje me:
a) marrëdhëniet institucionale që ato kanë me Këshillin e Ministrave, ministritë apo autoritete të ndryshme shtetërore përgjegjëse;
b) hartimin e projektakteve që trajtojnë organizimin dhe funksionimin e tyre;
c) interesa të tjerë që ato kanë për projektakte të ndryshme apo për procesin ligjbërës.
7. Kujdeset për dërgimin në Kuvend të përgjigjeve të përgatitura nga ministritë apo autoritetet shtetërore përgjegjëse për kërkesat për të dhëna dhe informacione gjatë procesit të shqyrtimit të një projektligji apo gjatë një procedure parlamentare pyetjesh apo peticioni.
8. Kujdeset për respektimin e procedurave dhe të afateve ligjore për emërimet që i propozohen Kuvendit nga Këshilli i Ministrave apo ministri përgjegjës.
9 Promovon, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, realizimin e objektivave parësorë të qeverisë.
V. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për realizimin e fushës së përgjegjësisë, sipas pikës 3, të ndarjes II, të këtij vendimi, ushtron kompetencat e zëdhënësit të Këshillit të Ministrave për informimin e vendimmarrjeve më të rëndësishme të tij, si dhe për ato me interes për publikun.