Nga Edison Ypi
Celulari tregon se tek “nearby places”, pra tek lokalet aty rrotull, po hanë, kanë ngrënë, ose thjesht kanë qënë, ca miq të Fejsbukut, ata më të pjerdhurit, në fakt. Një Benz i madh xhiron rrotat duke i kallur tmerin miletit me tym e fëshkëllima. Nga ana tjetër e rrugës dy ndërtesa të larta kanë vënë në mes një hotel me 4 yje sikur e kanë arrestuar dhe po e shoqërojnë në Komisariat. Duhma parfumesh të shtrenjta si në qëndrat e metropoleve të botës. Kalojnë me ngut vajza të bukura barkzbuluara me xhinse frikshëm të shkurtëra të ngushta e të puthitura që dëshmojnë me përpikmëri rrënqethëse një nga gjërat më të bukura që ka bërë Perëndia, vithet e femrës. Disa minimarkete ku mund të gjesh gjithçka që humanoidët hanë e pinë. Sherrin për një parkim vjen e qetëson një polic me shkollë. Tre vajzave të abronxuara me flokë të lëshuara të kapura përdore u ka zënë rrugën Casanova i papërmbajtur.
Qefliu po u thotë vajzave me zë të dridhshëm; Dëgjoni vajza, ma hoqët trurin me këto kërthiza si kratere vullkanesh të heshtura. Fundshpinat tuaja më bëjnë të dridhem si purteka. Mpihem i tëri kur përfytyroj çfarë mbulojnë kanotierat tuaja. Secila prej jush është një botë me zgavra, tynele, male, kodra, brigje, pllaja, rrafshulta, rrafshnalta, shkurre, pyje, përrenj, lumenj, ujvara, qiell, det, dritë, Por ka një problem. Mungon gjysma pa të cilën gjithai qef nuk është i mundur. Ku janë ata, ata të nguturit, ata të paduruarit ? Ku j’u çon mushka e qefit të butë pa meshkujt e ashpër ? Perritë me pantallonat si breçka dhe gjysmat e sisëve përjashta shpërthejnë në një niagarë të qeshurash, dhe zhduken mes dritave dhe reklamave. Kalojnë me zhurmë tre motocikleta të mëdhaja të çakërdisura me nga një djalë dhe një vajzë me skafandra. Një halabak e ka lënë Tojotën skiç dhe ka ikur. Dikush që ngutet për diku, ndoshta në ndonjë takim me përmbajtje sentimentale, shan dhjetë breza halabakun e Tojotës që i ka bllokuar daljen e makinës. Në një restorant një këngëtare me nam po këndon “Baila Morena” me një zë të pjerdhur.
