Zbulohen detaje të reja në lidhje me vrasjen e Edmond Papës mbrëmjen e djeshme në zonën e Selitës në Tiranë në ambientet e një lokali. Pas hetimeve të policisë është dalë në përfundimin se vrasja ka qenë e planifikuar me hollësi dhe autori ka ndjekur çdo lëvizje të 49-vjeçarit.
Kamerat e sigurisë në zonën përreth dhe ata të bizneseve pranë lokalit ku ndodhi vrasja, kanë fiksuar momentet kur autori ka qëndruar për disa minuta në këmbë përpara pallatit ku banonte i vëllai i Edmond Papës. Pasi ka parë daljen e viktimës, autori ka nisur lëvizjen.
Vetëm pak minuta pasi Edmond Papa ulet në lokal, autori futet i vetëm dhe e qëllon nëntë herë me një armë tip pistoletë, e llojit “Glock”. Pas kësaj autori largohet në këmbë dhe humbet nëpër rrugicat e zonës së Selitës. Viktima u dërgua në spitalin e Traumës, por nuk i mbijetoi dot plagëve.
Ndërkohë, së fundmi është zbuluar edhe një tjetër detaj mbi viktimën. Edmondi kishte ardhur në Shqipëri vetëm mëngjesin e djeshëm nga Saranda në Tiranë, për të dërguar nënën e tij të sëmurë te mjeku për shkak të problemeve shëndetësore që ajo kishte. Edmond Papa ishte pronar i një hoteli në qytetin jugor.
Për tu shënuar është fakti se pas kësaj ngjarjeje nuk është gjetur asnjë makinë e djegur pas ngjarjes. Në këtë vrasje është përdorur një tjetër mënyrë ekzekutimi nga autori, i cili ka përfituar nga fakti që Selita është një zonë e populluar dhe me shumë rrugica dhe ka humbur gjurmët në këmbë, ndoshta për të shmangur edhe trafikun që ka ajo zonë.
