Egjipi hap kufirin për ndihmat. Presidenti Abdel Fattah al-Sisi ka pranuar të rihapë pikën e kalimit kufitar të Rafahut me Gazën vetëm për kalimin e ndihmave humanitare.
Pavarësisht hapjes së pikës kufitare, ende nuk është e qartë nëse do të lejohet dhe kalimi i civilëve, një numër i madh i të cilëve është bllokuar aty që pas paralajmërimeve të Izraelit se duhet të largohen sa më shpejt nga veriu i Gazës. Zakonisht nuk është e lehtë për palestinezët që të largohen nga Gaza përmes kësaj pike kufitare.
Personat që dëshirojnë këtë gjë duhet të aplikojnë tek autoritetet palestineze 4 javë më parë, dhe mund të pengohen të kalojnë nga të dyja palët pa asnjë motiv, edhe nëse marrin leje. Aktualisht, Rafahu është e vetmja pikë për kalimin e ndihmave humanitare, pasi Izraeli ka rrethuar të gjithë pjesën tjetër të Rripit të Gazës.
Ushtria izraelite bën me dije se ka vijuar bombardimet e saj gjatë natës ndaj pozicioneve të Hamasit. Sipas të dhënave më të fundit, më shumë se 100 objektiva u goditën vetëm në 24 orët e fundit, ndërsa 10 militantë u vranë.
