Ngjarjet e këtij viti kur në drejtim të kryeministrit Rama dhe të kabinetit qeveritar janë hedhur që nga vezët e deri te mielli e boja, kanë detyruar kryeparlamentarin Gramoz Ruçi që të shtojë masat e sigurisë.
Për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla, burime për tirananews.al bëjnë me dije se ai ka nisur procedurat për mirëmbajtjen e skanerave dhe të urës së detektorëve ( pajisje në Kryesinë e Kuvendit dhe Seancat plenare ku kalojnë deputetët dhe vizitorët).
Mësohet se tenderi për mirëmbajtjen e skanerave dhe të urës së detektorëve do i kushtojë Kuvendit 3.3 mln lekë të vjetër.
Prej gati një viti, kryeministri Rama dhe kabineti i tij janë përballur me disa sulme nga ana e deputetëve të opozitës të cilët i kanë kamufluar ato.
Në 12 prill të 2018-s, pasi opozita bllokoi seancën parlamentare, deputetët e opozitës do të hidhnin në drejtim të Ramës shishe me ujë vezë e miell duke arritur që të depërtojnë edhe sigurinë.
Ngjarja u përsërit edhe në dhjetor të 2018-s, kur teksa kryeministri Edi Rama po fliste në foltore për protestën e studentëve dhe rikthimin e opozitës, deputeti i PD, Endri Hasa u ngrit dhe e qëlloi me vezë dhe bojë, ndërsa i tha “E ke nga studentët”, raporton tirananews.al.
Ngjarja e fundit është më 14 shkurt kur Edi Paloka i hodhi bojë shkrimi Kryeministrit në Kuvend, si përgjigje për talljet mbi mënyrën e të folurit të knënkryetarit të PD. Paloka u përjashtua për 10 ditë nga Kuvendi.
Me sa duket, nëse opozita do të vendosë që të rikthehet në Kuvend, shanset që të fusë gjëra të palejuara do të jenë edhe më të vogla.
Por siguria nuk ndalet me kaq. Mësohet se një tjetër tender është hapur për traun e sigurisë. Ky shërbim përfshin mirëmbajtjen e traut të sigurisë (kontrolle, zëvendësim drita led, pajisje elektronike). / tirananews.al.