Sajmir Xhuglini ka paditur në Gjykatën Administrative Tiranë kryeministrin Edi Rama, Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjoni , Drejtorinë e Përgjithshme të Përmbarimit dhe Avokatinë e Shtetit.
Ai kërkon në gjykatë “detyrimin e palës paditur të më paguajë një dëmshpërblim prej 12 muajsh paga mujore bruto (paga e një viti), për zgjidhje të menjëhershme dhe pajustifikuar të marrëdhënieve të punës; Detyrimin e palës paditur të më dëmshpërblejë me pagën e dy muajve për mos respektimin të afateve të njoftimit që i shtohen dëmshpërblimeve të tjera; Detyrimin e palës paditur të më dëmshpërblejë me pagën e dy muajve, mos respektimin e procedurës së zgjidhjes së marrëdhënies së punës që i shtohen dëmshpërblimeve të tjera: Detyrimin e palës paditur të më dëmshpërblejë për vjetërsi në punë sa paga e një 15 ditëshi, mbi çdo vit pune të plotë ose mbi mesataren e pagës së vitit pasardhës; Për shkaqe ekonomike e shëndetësore kërkojmë që vendimi përfundimtar të jepet me ekzekutim të përkohshëm”, raporton tirananews.al.
Por Sajmir Xhuglini nuk është një emër i panjohur. Do të ishte Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e cila do të bënte edhe lidhjen e tij me ish-bashkëshorten e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha.
Në një prej protestave të opozitës në shkurt të vitit 2019, Kryetarja e LSI do të deklaronte për mediat se në shesh kishte dhe komunistë, si nipi i Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së diktatorit Enver Hoxha, Sajmir Xhuglini.
“Sot pashë në shesh, komunistë. Pashë nipin e Nexhmie Xhuglinit, Sajmir Xhuglinin. Pashë njerëz nga më të ndryshëm”, ka thënë Monika Kryemadhi. / tirananews.al

