Kanë kaluar 35 vjet nga vdekja tragjike e 5 traktoristëve. Ngjarja e rëndë ndodhi në vendin e quajtur Ura e Karicës, pak kilometra larg qytetit të Burrelit. Të afërm të viktimave kërkojnë nga Këshilli Bashkiak i Matit t’i vlerësohen këto specialistë që humbën jetën teksa punonin në ish kooperativën bujqësore Baz.
Zef Gjinaj, njëri prej të afërmëve të traktoristëve thotë se ka trokitur në zyrat e njësisë administrative Baz dhe ka dorëzuar një kërkesë të familjarëve të viktimave. Ata dëshirojnë që 5 traktoristët të shpallen “Qytetar Nderi” të Matit.
“Ngjarja e rëndë, thotë Gjinaj, ndodhi mbrëmjen e 6 korrikut 1985, teksa traktoristët Gëzim Marku, Gjet Gjinaj, Mark Gjinaj, Ismail Ibrahimaj e Llesh Çakalli po ktheheshin nga SMT-ja Burrel drejt qendrës së riparimit të mjeteve bujqësore në Baz. Ata po udhëtonin sipër karrocerisë së një zetori. Në momentin kur ata ishin mbi Urën e Karicës, një mjet i Parkut të Laçit, i drejtuar nga një shofere, aksidenton 6 traktoristët. Drejtuesi i zetorit i mbijetoi aksidentit, ndërsa 5 të tjerët humbën jetën. Mjeti me të cilin ata lëviznin ra nga një lartësi mbi 30 metra”.
Autoritetet e kohës kanë marrë pjesë në ceremonitë mortore dhe kanë vlerësuar kontributin e tyre në fushën e bujqësisë. Mësohet se autorja e ngjarjes është arrestuar nga Policia dhe është dënuar me disa vite burg. Ajo është shprehur se ngjarja ka qenë aksidentale.
Familjarët kanë vendosur të ndërtojnë një memorial në hyrje të “urës së vdekjes”. Po ashtu ata kërkojnë që Këshilli Bashkiak t’i nderojë me një titull nderi. /tirananews.al/
