Petrit Frangu, mjeku stomatolog, drejtues i sindikatave në Mat dhe më gjërë është shpallur sot “Qytetar Nderi” i Matit. Në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kulturës Burrel ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, drejtues të institucioneve, banorë të Burrelit, të afërm të Frangut, etj. Folësit në këtë ceremoni sollën episode të rëndësishme të aktivitetit si mjek stomatolog dhe si drejtues i konfederatës së sindikatave.
Gazetari Hamdi Hysuka u shpreh se Petrit Frangu është ndoshta shqiptari i parë që i kërkoi Sllobodan Millosheviçit pavarësinë e Kosovës.
Plot emocion ai tregon për tirananews.al atë vizitë interesante në Serbi.
Në pranverën e vitit 1992, ai së bashku me ish kryetarin e Partisë Ekologjike, Namik Vebi Fadile Hotin dhe vajzën e tij udhëtojnë drejt Beogradit për të qenë pjesmarrës në kongresin e radhës të Partisë Socialiste të këtij vendi, të ftuar nga partia simotër e Serbisë, duke lënë mënjanë rreziqet dhe akuzat që do të sillte kjo “aventurë” e tyre. Një udhëtim plot peripeci dhe emocione njëkohësisht, por me një mesazh kuptimplotë për Presidentin e Serbisë së Kosova duhet të jetë e pavarur.
“Në të dalë të Fushës Krujës mjetin me të cilin ne udhëtonim e ndalon policia, nis rrëfimin e tij Petrit Frangu, aktualisht kryetar i këshillit sindikal të Qarkut Dibër. Na kërkuan dokumentat dhe ua dhamë. Pritëm më shumë se gjysëm ore dhe nuk po na i kthenin ato. Kundërshtuam duke iu thënë se për vizitën tonë në Beograd është në dijeni dhe Presidenti i asaj kohe Sali Berisha dhe dokumentat na i dorëzuan”-tregon Frangu, teksa mendon se bllokimi i tyre kishte lidhje me udhëtimin e “njerëzve” që do të vëzhgonin cdo lëvizje të tyre në vendin “armik” me Shqipërinë e Kosovën”.
“Në pikën doganore të Hanit të Hotit na pyetën fije për pe për qëllimin e vizitës tonë në Jugosllavi dhe për kontaktet tona me autoritetet e këtij vendi. Panë me imtësi dokumentat dhe na lejuan të udhëtonim më tej, thotë matjani që udhëtoi për herë të parë jashtë vendit, madje në një vend që shqiptarët për shumë dekada e kishin cilësuar si vend armik. Ndërkohë në doganën e Malit të Zi jo vetëm na respektuan por nuk na lanë të prisnim fare”.
Petrit Frangu thotë se në krye të delegacionit shqiptar ishte Baca, sic ekologjistët i thërrisnin Namik Hotit. Duke folur për morinë e takimeve në ish jugosllavi, ai tregon se në Beograd ishte më e lehtë të takoje Sllobodan Milloshevicin se sa bashkëshorten e tij Mira Markovicin.
Delegacioni i majtë nga Shqipëria është pritur me të gjitha nderet në Beograd, sipas Frangut. Për të faktuar ato që tha në fillim të intervistës së tij, për survejimin e plotë të udhëtimit të delegacionit shqiptar, ish ekologjisti sqaron se njëri nga personat që atë dhe delegacionin shqiptar e kishin kontrolluar në kufirin shqiptar, në doganën shqiptare, e kishte parë në sallën e kongresit të PS-së në Beograd, teksa interesohej për mbarëvajtjen e vizitës së tij.
Në këtë kongres ekologjistët shqiptar kanë mbajtur një fjalim të gjatë, ndërkohë që organizatorët e tij kanë kërkuar nga folësi ta reduktonte atë. “Fjalimin do ta mbajmë të plotë, ndërkohë cështja e përkthimit është në dorën tuaj”-kanë kundërshtuar shqiptarët pak caste para fillimit të seancës së përshëndetjeve.
Frangu tregon se bashkëshortja e Sllobodanit është interesuar për vajzën e tij duke u shprehur se “Shqipëria ka vajza të bukura dhe në rastin më të parë kam shumë dëshirë të vizitoj këtë vend. Kam udhëtuar në shumë shtete dhe do të dëshiroja shumë të vija dhe në Tiranë”-ka pohuar Mira Markovic.
Ndërkohë emocionuese ka qenë darka e shtruar për nder të delegacioneve nga vende të ndryshme të botës. Namik Hoti dhe Petrit Frangu kanë marrë fjalën dhe kanë uruar pjesmarrësit, ndërkohë janë lutur që ato të ngrihen në këmbë dhe të pijnë një dolli për Enver Hoxhën e Sali Berishën. Frangu thotë se në një replikë të shkurtër me një nga të pranishmit është shprehur se Presidenti shqiptar Sali Berisha është më i rëndësishëm se sa Slobodan Milloshevic. “Presidenti juaj është thjeshtë President, ndërkohë Presidenti ynë Berisha është doktor profesor dhe president”.
Pika kulmore e kësaj vizite është ajo kur delegacioni shqiptar është takuar me Sllobodan Milloshevicin, pak minuta para largimit nga Beogradi. “Zoti Milloshevic, ne kërkojmë pavarësinë e Kosovës”-kanë qenë fjalët e të ndjerit Namik Hoti. “M’i bëni shumë të fala Sali Berishës dhe i thoni se e pres në Beograd të diskutojmë rreth kësaj cështje”-ishte përgjigja e numrit një të Serbisë. Petrit Frangu nuk i fsheh emocionet e këtij takimi, madje shprehet se Sllobodan Milloshevici ishte një njeri me autoritet të lartë dhe me influencë në vendin e tij.
“Ky takim është komentuar mjaft keq si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, tregon Frangu. Policia dhe SHIK-u i asaj kohe gati më hëngrën kokën pas kthimit. Pata probleme të mëdha me policinë e Burrelit. Shumëkush na konsideronte tradhëtar. Madje Tirana zyrtare vlonte nga debatet. Deputetë të mazhorancës së asaj kohe kërkonin interpelanca për t’u distancuar nga vizita e ekologjistëve shqiptarë në Beograd. U përpoqëm nëpërmjet mediave, sidomos konferencave për shtyp, të sqaronim publikun se “kjo vizitë nuk kishte tradhëtuar askënd dhe se ne kishim kërkuar pavarësinë e Kosovës”-tha sindikalisti Frangu.
Kush është Petrit Frangu ?
Është lindur në fshatin Lis të rrethit Matit. Ka përfunduar shkollën mjekësore në Tiranë për laborant dentist. Ka punuar në profesionin e tij në shumë krahina të Matit, Klos, Burrel, Martanesh, Tiranë, etj. Ka kontribuar në Teatrin e Kukullave të qytetit Burrelit për disa vite. Djali i ish kapitenit të Zogut pas viteve ’90-të krijon së bashku me Namik Hotin dhe të tjerë Partinë Ekologjike Shqiptare. Rënia e aktivitetit të PE dhe largimi nga jeta i Namik Hotit bëri që Petrit Frangu të kontribuojë në lëvizjen sindikaliste. Ai është aktualisht sekretar i Këshillit Sindikal të Shëndetësisë. E sheh në podiume të protestave dhe në ndonjë tubim politik të të majtëve, në mbrojtje të interesave të punëtorëve dhe të papunëve. /tirananews.al/