Vladimir Duro ishte mes shqiptarëve që u nisën drejt Italisë me anije në 7 marsin e vitit 1991. Në një intervistë për “Tirananews.al”, Vladi, siç i thërasin të gjithë kujton se ishte vetëm 33 vjeç dhe me dy fëmijë të vegjël kur mori guximin të dilte kundër dëshirëss së babait të tij, duke e quajtuar 7 marsin si një ditë për liri ose vdekje.
Ai thotë se e nisi me punën e rëndomtë të larjes së pjatave dhe sot është një kuzhinier i shkëlqyer.

Vladimir sa vjeç keni qenë ju dhe si e kujtoni atë 7 mars të 1991-shit? Cila është jeta që latë pas?
Kam qenë 33 vjeç me dy fëmijë të vegjël. Jeta që lashë ishte e vështirë si e të gjithë shqiptarëve. Dhe pse jetjoja në mes të Tiranës, e kujtoj 7 marsin si një ditë për liri ose vdekje.
Po të afërmit, miqtë çfarë mendonin në atë kohë për largimin tuaj?
Të afërmit, babai ishte komunist dhe në çdo kusht ishte kundër meje për largimin nga atdheu, se e mendonte si tradhti ndaj atdheut. Por miqtë nuk më kanë gjykuar në atë kohë dhe kurrë më pas.
Si vijoi më pas jeta juaj në Itali?
Jeta imë në Itali ndryshoi jetën time dhe tetë motrave dhe vëllezërve të mi duke i ndihmuar. Për mua ishte nder dhe detyrë për familjen time. Që në ditët e para në Itali nisa punë në një hotel si larës pjatash. Për mua puna ishte nder dhe dtyrë për familjen time. Me kalimin e viteve bëra shkollën profesionale për kuzhinier, dhe kam plot 22 vite që jetoj me nder e respkt për punën. Sot jam gjysh i pesë nipërve dhe mbesave.

Sot keni ndërtuar jetën tuaj atje po si janë lidhjet me Shqipërinë?
Po, kam ndërtuar një të ardhme të shkëlqyer me nder e respekt, me shqiptarët kam marrëdhënie të mrekullueshme. Unë jam dhe do të vdes shqiptar, toka mëmë dhe gjuha e nënës nuk harrohet.
Si e shihni sot 30 vite më pas atë ngjarje? Sa mund të themi se ka ndryshuar Shqipëria qoftë me botën tonë kulturore pas 40 vitesh komunizëm dhe mirëqënies sociale?
Shqipëria ime në këto 40 vjet është ndryshuar nga aspekti kulturor. Shqipëria ka ecur shumë përpara me industrinë, ekonominë, lirinë e të shprehur në demokraci, të bukurën, por ende sot shumë familje janë të varfra në këto 30 vite, e të raskapitur nga papunësia./ A.B- Tirananews.al
