Shqipëria është shteti me pagën minimale më të ulët në Europë, sipas
të dhënave që raporton Eurostat, duke lënë pas vetëm Kosovën.
Me 30 000 lekë, apo 248 euro, minimumi i të ardhurave bruto për një
të punësuar në vend është ndjeshëm larg vendit që vjen pas nesh në
renditje, Turqisë, me 328 euro. Ndërsa në rajon ndjekin Maqedonia e
Veriut, Serbia, e Mali i Zi, me pagën minimale tek fqinjët veriorë të
fiksuar në 532 euro në muaj.
Teksa qeveria ka premtuar ta çojë në 40 000 lekë pagën minimale deri
në fund të këtij mandati, sipas ekspertit Fatos Çoçoli, kjo masë duhet
marrë sa më herët, duke përfituar edhe nga ritmet aktuale të
zhvillimit ekonomik. Sipas Çoçolit, përfitimet nga rritja e pagës
minimale tejkalojnë të gjitha kostot e para që mund të hasin bizneset.
Në matjen e pagës minimale, Eurostat përfshin edhe fuqinë blerëse të
individëve, pra krahason rrogën me çmimet në tregun e secilit vend,
ku rezulton se një shqiptar i paguar minimalisht në vendin tonë është
mbi dy herë më i varfër sesa një i punësuar në Turqi, Serbi e Malin e
Zi, ku pavarësisht se paga minimale nuk është dyfish, standardi i
jetesës është më i lirë.
Me këtë pagë, një shqiptar nuk mund të sigurojë sot ende një nivel
jetese më të lartë se të një qytetari tjetër të rajonit përpara 10 vitesh.