Prej mbrëmjes të së dielës në të gjithë qytetin e Elbasanit kanë zbarkuar Shqiponja, RENEA dhe FNSH pas ngjarjeve të ndodhura në këtë qytet.
Sipas Panorama në të gjitha kryqëzimet dhe akset rrugore të Elbasanit si dhe lagjet kryesore të qytetit ka pasur patrullime të shumta.
Automjetet janë kontrolluar imtësisht, gjithashtu dhe personat me precedent penalë dhe kontrolle të befasishme në biznese e banesa.
Lexoni edhe: Pse u ekzekutua avokati i Shullazit dhe miku i Çapjave
Panorama shkruan se policia është duke ushtruar detyrat e saj për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për parandalimin dhe zbulimin e aktivitetit kriminal që ushtrojnë persona të ndryshëm. Ky plan masash i Policisë së Shtetit vjen pas ngjarjes së rëndë të 22 marsit, ku mbeti i vrarë avokati Ravik Gurra, ngjarje e cila ende nuk ka asnjë autor të dyshuar.
Ekzekutimi i avokatit Ravik Gurra dyshohet të jetë kryer nga një vrasës me pagesë. Autori i dyshuar i ngjarjes, një person i maskuar, me kapele dhe me doreza, nuk ka lënë asnjë provë në vendin e ngjarjes, që mund të ishte në dobi të hetimit. Avokati i Emiljano Shullazit u qëllua me dy plumba pas koke me një pistoletë me silenciator dhe asnjë nga dëshmitarët e pranishëm në lokal nuk kuptoi asgjë, deri në momentin që 50-vjeçari ra i vdekur në tokë.
Menjëherë pas krimit, forcat speciale RENEA zbarkuan në qytetin e Elbasanit, ku kryen kontroll banesash e ambientesh të ndryshme, duke shoqëruar më shumë se 30 persona, të cilët përfunduan sërish të lirë.
Asnjëri prej tyre nuk rezultoi të kishte lidhje me krimin. Burimet thanë se mes të shoqëruarve ishin edhe pjesëtarë të fisit Çapja, me të cilët viktima Ravik Gurra kishte miqësi dhe i kishte përfaqësuar disa herë si avokat. Hetimi për ekzekutimin e avokatit Gurra i ka kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda, si vrasje në rrethana të tjera cilësuese, për shkak të detyrës si avokat.