Elez Gjoza, kryerat i federatës së Peshëngritjes dhe ish kryetari i njësisë administrative nr.2 në Tiranë, tha se largimi i Ilir Metës nga LSI pasi u bë president dhe koalicioni i dytë me PD-në dëmtoi këtë forcë politike, çka solli dhe rrjedhjet në mënyrë të vazhdueshme nga LSI, që kulmoi dhe me largimin e Nasip Naços një figurë kryesore të saj në Berat ditën e djeshme.
Në një intervistë për Report Tv, Gjoza tha se sipas tij rrjedhjet do të vazhdojnë pasi mënyra e menaxhimit në parti nga Monika Kryemadhi nuk është ajo që prodhonte Ilir Meta, të cilin e cilëson si gladiator të politikës.
Gjoza tha se dhe bashkimi i LSI në koalicion me PD nuk ka qenë i mirëpritur nga shumica e anëtarësisë dhe për këtë ata kanë zgjedhur të largohen, duke iu mbetur besnik bindjeve të majta dhe bashkuar me PS-në.
“Dua të them se Ilir Meta është një gladiator politik, një njeri që për politikën jep shumë dhe është shumë punëtor. Ikja e Ilir Metës ka dëmtuar LSI-në. Nuk kam gjë me Kryemadhin, por kurrsesi nuk mund të bëjë punën e Metës. Me marrjen e partisë nga Kryemadhi, LSI ka rrjedhje te vazhdueshme , mënyra e menaxhimit nuk është ajo që prodhonte Ilir Meta. LSI në 2009 iu bashkua PD dhe për mua ka qenë një lëvizje jo e miratuar nga unë dhe dëshiruar, por unë aq pozicion kisha. Në shpirtin tim nuk e kam miratuar, u quajt që u bë për hir të stabilitetit dhe kombit. Këtë koalicion për herë të dytë nuk e përtypa dot, unë jam i majtë dhe për këtë u bëra pjesë e PS. Nuk jam joshur në asnjë formë nga PS për t’u bërë pjesë e saj”, tha Gjoza.
