Mediat britanike vijojnë të shkruajnë për banda shqiptare që kanë pushtuar vendin me kokainë dhe betejën e Agjencisë Kombëtare të Krimit ndaj tyre.
Faqja britanike birminghammail.co.uk me titullin “Beteja kundër mafias shqiptare që ka përmbytur Birmingham me kokainë”, thotë se aktiviteti i mafias nuk është vetëm në Londër por dhe në këtë zonë.
Ajo shkruan se bandat nga vendi i Ballkanit janë përpjekur të kontrollojnë tregun fitimprurës të kokainës në këtë qytet vitet e fundit.
Dhe pse me herët ka qenë fitimprurëse heroina, pasi Shqipëria ishte vend tranzit mes Afganistanit dhe Europës, shqiptarët kanë zbuluar fitime të mëdha që bëhen me kokainën.
Londra është qendra kryesore e tyre por tashmë janë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar përfshi dhe Birmingham.
Kjo është një betejë që Agjencia Kombëtare e Krimit thotë se po e fito, pasi ka burgosur disa bosa droge shqiptarë vijon më tej shkrimi.
“Vitin e kaluar, krimineli shqiptar Erald Mema, i cili kryesonte një rrjet kokaine shumë milionë dollarëshe në Mbretërinë e Bashkuar u burgos për 25 vjet. Ai është koka e një bande shumë të sofistikuar dhe të organizuar që furnizote tregun me sasi kokaine të pastër”, thotë birminghammail.co.uk.

Madje, gjykata muajin e kaluar mbajti një seancë gjyqësore ku urdhëroi Memën të nxirrte në ankand orën e tij Rolex, me vlerë 14.380 paund si të ardhura të krijuara nga aktiviteti i paligjshëm.
Në 2016, Bekim Domi dhe Shkëlqim Dardha u burgosën pasi u kapën me kokainë me vlerë 120 mijë paund në Birmingham. Kur policia i mori në pyetje ata u përpoqën t’ia kalonin fajin njëri-tjetrit për drogën, por më vonë u dënuan me 4 vjet e tetë muaj burg pasi pranuan se kishin si qëllim të furnizonin me drogë të Leamingtonit.

“Kriminelët nga Shqipëria kanë krijuar një profil të lartë dhe një shkallë ndikimi brenda krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe po zgjerojnë gjithnjë e më shumë rrjetin e tyre të ndikimit, me qasje të konsiderueshme në tregun e trafikut të drogës, veçanërisht kokainë. Agjencia Kombëtare e Krimeve kombinon inteligjencën me aktivitetin operacionial duke synuar grupet e organizuara të krimit për të cilat droga është vetëm një burim të ardhurash dhe po i përdorin fitimet për të mbështetur forma të tjera të krimit. Kjo përfshin trafikimin e njerëzve, të armëve, korrupsionin dhe pastrimin e parave, të gjitha këto që shkaktojnë dëme, dhunë dhe shfrytëzim”, ka thënë për median britanike një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Krimit.
