Kryeministri në detyrë Dritan Abazoviç shprehet se duhet të kontrollohet nëse rasti i biznesmenit Rezart Taçi, ndaj të cilit prokuroria ka ngritur akuzën e pastrimit të parave ka lidhje me Malin e Zi.
Dje SPAK ka ngritur një akuzë ndaj Rrezart Taçit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij për pastrimin e 18.4 milionë eurove dhe krijimin e një organizate kriminale.
Sipas deklaratave të mëparshme të prokurorisë italiane, transfertat e parave janë bërë përmes Malit të Zi.
“Nuk mund të them nëse hetimi të çon në Mal të Zi, por dua të theksoj se në hetimin për rastin Taçi, një hapësirë e madhe i kushtohet Malit të Zi, lidhjeve të tij me qeverinë e dikurshme dhe përdorimin e shërbimeve bankare në Mal të Zi”, tha Abazoviç pas seancës së Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
“A çon në ndonjë zbulim dhe a janë pastruar para nuk mund ta them nga pozicioni i kryeministrit. Kur pashë lajmin sot në mëngjes, fillimisht mendova për Malin e Zi”, tha Abazoviç, shkruajnë mediat malazeze.
Mediat serbe shkruanin se Taçi ka përmendur presidentin malazez Milo Gjukanoviç në përgjimet e publikuara nga mediat italiane për rastin e pastrimit të parave që vinin nga Cosa Nostra.
Sipas Tanjug, Taçi ka bashkuar forcat me një grup shtetasish italianë për të transferuar rreth 20 milionë euro në llogaritë e bankave shqiptare, në mënyrë që ato të mos bllokoheshin nga policia italiane.
