Rusët po e pranojnë edhe vetë: “Operacioni i tyre special” në Ukrainë nuk po shkon aq mirë sa e prisnin. Por po vijnë mijëra sirianë dhe çeçenë. Këmbësorët e Putinit jemi, thonë ata. Janë vullnetarë për një kauzë të mirë, thotë Putin. Në çdo rast, ata janë luftëtarë që nuk njihen për lojë të ndershme. Dhe ushqehen nga vetë Ramzan Kadyrov: lideri çeçen, emri i të cilit është sinonim i rrëmbimit, torturës dhe asgjësimit
Nga Jesse Van Rainmorte
Ishte një moment i rrallë pranimi nga ana e Kremlinit. Viktor Zolotov tha se operacioni special rus në Ukrainë mund të mos shkojë ashtu siç ishte planifikuar. “Jo gjithçka po shkon aq shpejt sa duam ne,” tha ai të dielën në një shërbesë kishtare me Patriarkun Ortodoks Kirill. “Por ne do të shkojmë hap pas hapi drejt qëllimit tonë dhe fitorja do të jetë e jona”.
Është hera e parë që rusët pranojnë se diçka nuk po shkon në Ukrainë. Dhe Zolotov nuk është një njeri i stilit Viktor. Është një nga besnikët më të afërt të Vladimir Putinit. Ai ishte përgjegjës për sigurinë personale të presidentit për 13 vjet dhe që nga viti 2016 ka qenë shefi i Gardës Kombëtare Ruse, e cila ka trupa në Ukrainë dhe i raporton drejtpërdrejt Putinit.
Dje nuk kishte më asnjë shenjë të asaj që pati deklaruar Viktori. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov iu rikthye melodisë tashmë të njohur. “Të gjitha planet e udhëheqjes ruse do të realizohen plotësisht dhe në kohë”, tha ai. Dhe ky qëllim justifikon të gjitha mjetet. Duket se gjithnjë e më shumë objektiva civile po bombardohen. Për shembull, dje – ndërsa negociatat mes rusëve dhe ukrainasve po vazhdonin – një ndërtesë apartamentesh në Kiev u hodh në erë. Tani, Moska po nxjerr në pah armën e fortë. Burri i fortë i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov publikoi pamjet e errëta dhe të paqarta të së dielës mbrëma, duke vërtetuar se ai ishte personalisht në një aeroport afër Kievit të pushtuar nga rusët.

Kadyrov nuk është një lajm i mirë. Ai ishte një rebel çeçen, por dezertoi te rusët. E bënë president dhe që atëherë e mbulojnë me thasë të mbushur me rubla. Kadyrov betohet për besnikëri ndaj Putinit dhe në këmbim ai mund të vazhdojë “karrierën” e tij autoritare në Republikën e tij të Kaukazit. Dhe atij i pëlqen ta bëjë këtë. Emri i tij është sinonim i shkeljeve të të drejtave të njeriut. Homoseksualët kërkohen dhe asgjësohen, vrasjet për nder janë standard i aplikueshëm dhe kush e hap gojën varet. Ish-gjyqtari Saidi Yangulbayev dhe dy djemtë e tij u rrëmbyen në vitin 2015, u mbyllën në një burg sekret dhe dyshohet se u torturuan nga vetë Ramzan Kadyrov. Sepse ata kritikonin dhe mbronin të drejtat civile.
Vladimir Putin po shpaguhet. Sepse ai e di se në kohë nevoje mund të mbështetet tek çeçenët e ashpër me mjekrën e tyre të mprehtë, me armët e tyre të rënda dhe me mungesën e ligjit ushtarak. Kadyrov, i cili e quan veten “ushtari këmbësor” i Putinit, kishte gati 12,000 luftëtarë që nga fillimi i luftës. Mijëra prej tyre thuhet se janë rreth Kievit dhe Mariupolit. Ata veprojnë në hije kundër – siç thotë Kadyrov – “atyre nazistëve nga Kievi”.
Çeçenët nuk janë ushtria e vetme e ‘vullnetarëve’ që Putin ka në dispozicion. Fundjavën e kaluar, ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu njoftoi se 16,000 luftëtarë nga Lindja e Mesme janë gati të luftojnë përkrah rusëve. “Nëse e shihni, kuptoni se këta njerëz duan vetë që t’i vijnë në ndihmë popullit të Donbasit dhe e bëjnë këtë, jo për parà. Ndaj duhet t’u japim atyre atë që duan dhe t’i ndihmojmë të arrijnë në zonën e konfliktit,” tha Putin. Këta janë ndoshta ushtarë dhe anëtarë të milicisë besnike të presidentit sirian Bashar al-Assad.
Fuçi me bomba dhe gaz helmues
Motivet e tyre altruiste janë të dyshimta, pasi paga që ofrojnë rusët është deri në pesëdhjetë herë më e lartë se paga mesatare mujore në Siri. Dhe duket qartë se sirianët nuk shkojnë në Ukrainë për të shfaqur talentin e tyre për lojë të ndershme. Ata janë njerëzit e Asadit, presidentit që mendoi se ishte në rregull edhe që të bombardonte njerëzit e tij me gaz helmues.
Vetëkuptohet që Kremlini është i gatshëm ta luajë lojën e pistë. Putini është në mëdyshje, ose i frikësuar, ndaj po përpiqet të instalojë më shumë trupa ruse. Vlerësohet se tashmë ka rreth 5000 të vdekur rusë. Sa më shumë, aq më keq për popullaritetin e brendshëm. Dhe kështu vendosja e vullnetarëve jo-rusë – mercenarëve, nëse dëshironi ti quajmë kështu – është njëkohësisht kërcënim dhe shenjë dobësie.
Sakaq, me gjuhën e luftës, këshilltari presidencial ukrainas Oleksiy Arestovych, shprehet: “Ku është ushtria e fuqishme ruse nëse nuk mund të arrijë qëllimin pa përfshirë sirianët? Nëse duan që ne të vrasim 16,000 sirianë, bujrum le të vijnë.”
