Turqia organizoi një stërvitje të madhe detare gjatë ditëve të fundit e quajtur “Kombi blu”, e cila përfshiu dhjetëra anije të flotës detare në Egje dhe Detin e Zi.
Stërvitja vjen në vigjilje të zgjedhjeve lokale në Turqi, për të cilat Erdogan po bën vetë fushatë në emër të partisë së tij, por edhe të rritjes së kapaciteteve të marinës turke, në kulmin e përballjeve me fqinjët për miliarda metër kub gaz nën Egjeun Lindor.
Në lidhje me këtë, në një retorikë zgjedhjesh, Erdogan tha në njërin prej takimeve elektorale se grekët u tmerruan nga numri i anijeve dhe stërvitja e madhe e turqve.
“Ne bëmë një stërvitje gjigante me 120 anije në dete, dhe duket se grekët janë tmerruar. U them atyre se ne nuk stërvitemi kundër jush”, tha Erdogan.
Turqia ka rritur ndjeshëm peshën e marinës detare vitet e fundit duke ngjallur shqetësime në Greqi, nisur edhe nga fakti se mes këtyre vendeve, si edhe Qipros mbetet i hapur konflikti i ishujve si edhe ai i ndarjes së pasurisë së madhe të gazit që gjendet në Egjeun Lindor.
