Presidenti turk Recep Tajip Erdogan mbërrin sot në Tiranë, në një vizitë që ai do të zhvillojë në vendin tonë dhe që pritet të zgjasë rreth 13 orë. Erdogan nuk do të jetë vetëm në kryeqytetin shqiptar, por edhe në Laç, ku do të inspektojë nga afër punimet e bëra në zonën e Kurbinit në kuadër të procesit të Rindërtimit.
Kjo vizitë e Erdogan në këtë 17 janar përkon pikërisht me 554-vjetorin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), simbolin e rezistencës shqiptare ndaj pushtimit të Perandorisë Osmane në trojet shqoptare dhe më gjerë në Ballkan. Madje dhe investimi i turqëve, që mund të ishte bërë kudo në vendet e prekura nga tërmeti, u zgjodh të bëhej pikërisht në Laç, zonë që përkon me Sanxhakun (ndarje territoriale) e Kurbinit, si një shenjë e miqësisë mes dy vendeve.
Vizita e Erdogan sot në vendin tonë ka bërë që të gjitha institucionet e sigurisë të marrin masa të shtuara, duke filluar që nga bllokimi i rrugëve e deri tek mbikqyrja me forca të shtuara të Gardës së Republikës dhe forcave RENEA, të cilat kanë ‘pushtuar’ Tiranën e jo vetëm. Por, për mbarëvajtjen dhe ruajtjen e sigurisë fizike të Presidentit turk, ka ardhur nga Ankaraja edhe një ekip efektivësh të Gardës së Turqisë dhe shërbimet sekrete, të cilat janë ndarë, një pjesë do të qendrojnë në Laç, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e pozicionuar në Tiranë.
POLICIA E SHTETIT NË GATISHMËRI TË PLOTË:
Vizita e kreut të shtetit turk ka vënë në gjendje të plotë gatishmërie edhe Policinë e Shtetit, e cila ka marrë masa për bllokimin e disa akseve kryesore rrugore, mes të cilave edhe aksin Tiranë – Durrës, ndërsa ka apeluar qytetarët, të cilët do të udhëtojnë jashtë vendit të mbërrijnë në Aeroportin e Rinasit përpara orareve të kufizimit, përkatësisht përpara orës 08:30 të mëngjesit të 17 Janarit.
Aeroporti i Rinasit dhe akset që lidhin kryeqytetin me të do të jenë prej sot në mesditë nën masa të larta sigurie ndërsa kufizimet do të preknin autostradën me drejtim Rinas-Vorë-Tiranë, Rrugën e Durrësit dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit ditën e hënë paradite. Rrugët në të cilat do të ndalohet tërësisht qarkullimi janë Milot-Vorë-Milot nga 07 deri në 14 për kamionët dhe makinat. Kurse nga 08:30 deri në 12:30 ndalohet mbikalimi Laçit si dhe Rinas-Vorë-Rinas nga ora 08:30 deri në ora 10:00. Bllokime do të kenë edhe akset në Tiranë, autostrada e Rinasi, Rruga e Durrësit, bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ etj.
AXHENDA E PLOTË E ERDOGAN NË SHQIPËRI:
09.25 – Ceremonia e pritjes, Aeroporti “Nënë Tereza”
10.05 – Vizita e Presidentit të Republikës së Turqisë në një prej shtëpive të rindërtuara pas tërmetit të 26 Nëntorit në Laç.
10.20 – Ceremonia e dorëzimit të shtëpive të ndërtuara pas tërmetit në Laç.
Ceremonia e emërtimit të sheshit në Laç me emrin e Presidentit të Republikës së Turqisë
13.00 – Takim midis Presidentit të Turqisë Sh.T.Z. Recep Tayyip Erdoğan dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama
15.00 – Nënshkrimi i marrëveshjeve dhe konferenca e përbashkët për shtyp
16.00 – Ceremonia e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut
17.00 – Përshëndetja e Presidentit të Republikës së Turqisë në Kuvendin e Shqipërisë
18.00 – Nisja drejt aeroportit të Rinasit