Kryetari i Bashkisë së Kolonjës Erion Isai konfirmon ambicien për një mandat të tretë. Në një intervistë për ”Vendi Im” me Edlira Prendin, Isai thotë se është i hapur për mandatin e ri, me kushtin e një sfide të re.
Lexo edhe :
Related Posts
“Patjetër që jam i hapur, por unë flas për vizionin e përbashkët. Unë Kolonjën vetëm e shikoj që e merr lumi pa Korçën, pa qeverinë qendrore, pa politikat zhvilimore dhe vizionin e kryeministrit për “Shqipërinë e 2030”. Trimi i mirë me shokë shumë i thonë. Jam i hapur për një mandat të tretë me kushtin e nje sfide të re. E kam idenë e një sfide të re, nuk do e shpall se po e shpalla sot është e parakohshme. Është një vizion, që jo Kolonjës, por nga Gjirokastra deri në Pogradec do i jepte një zhvillim shumë të madh. Por po e zhvillojmë me qeverinë shqiptare”, thotë ai.
Kreu i Bashkisë së Kolonjës shprehet se në themel të punës së tij vendos pasionin dhe jo nevojën për të pasur një karrige. “Kushdo që e ka kaluar këtë vend dhe e sheh e kupton fuqinë e transformimit dhe për këtë jam krenar. Unë e kam një gur jo të vogël në këtë qytet sikur nesër ta lë mandatin. Unë jam artist dhe unë punoj me pasion, për mua karrigia është bezdi. Burokracia e karriges për mua është bezdi. Unë gjej pasioinin tek çdo detaj i imi. Kur kam ikur nga TCH, drejtuesve të mi u kam thënë që po iki sepse më ndodh që fik cigaren, dhe hyj në skenë pa emocion. Mu kthye në monotoni. Ditën që do ta ndjej që kjo detyra që po bëj është monotonia e ditës sime, nuk ka nevojë as për makinacione politike për të më zënë vendin, as për sulme personale, unë iki vetë. Nuk e shoh veten time, nuk e projektoj veten time unë me pushtetin. Unë kam një pushtet të jashtëzakonshëm në dorë që nuk ka karrige që ma jep, që është forca e artit, ai është pushteti më i madh që kam në dorë që falë perëndisë ma ka dhënë si talent si regjisor, si shkrues. Lum kush e ka provuar ta kuptojë atë pushtet dhe unë e kam”, shprehet Isai.
Ai nënvizon se ndryshe nga mandati i parë, ku mund të ketë bërë edhe gabime, këtë mandat të dytë ndihet vërtet drejtues bashkie. “Tani jam kryetar bashkie. Kam bërë gabime, kam lënduar njerëz në komunikim, e gjëra. Nuk kam ditur se nga cili krah vendimmarrje të anoj se, nuk ka shkollë për kryetar bashkie dhe sidomos për në Shqipëri. Mandatin e dytë mund të them që “Po, jam kryetar bashkie”.
Intervista e plotë: