Ish-deputetë dhe drejtues të lartë të Partisë Demokratike që kanë pasur kritika ndaj lidershipit dhe Sali Berishës në lidhje me rezultatin e marrë më 11 Maj, kanë zhvilluar një takim në ambientet e një hoteli privat në kryeqytet.
Ervin Salianji është ai që e thirri këtë takim, ku u bashkua Ilir Alimehmeti që ishte i dyti më i votuari i PD-së në qarkun e Tiranës, dhe emra që në Primaret e PD-së para zgjedhjeve të 11 majit ishin më të votuarit, por nuk u përfshinë në listën e sigurt nga Berisha si Hysen Kadia, Aulon Kalaja, Xhemal Gjunkshi, Parid Mahmutaj, Qani Xhafa etj.
Fokusi kryesor i takimit ka qenë diskutimi për rrugëdalje në situatën ku është futur Partia Demokratike dhe nevoja e një aksioni brenda partisë pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit. PD pësoi disfatë në zgjedhjet e 11 majit dhe u tkurr në 50 mandate. Berisha u justifikua për vonesën e analizës duke thënë se raporti i ODIHR për zgjedhjet u publikuar në fund të muajit tetor.
Bëhet me dije se ky takim nuk do të jetë i fundit, por të ngjashëm do të jenë periodikë edhe me më shumë emra në tryezë. Ajo që vihet re është se pjesë e takimit janë ata që kanë mbetur jashtë Kuvendit dhe ata që nuk arritën që të kishin emrin e tyre në listën shumemërore për deputetë në 11 Maj.
1-Ilir Alimehmeti
2-Gentian Cela
3-Qani Xhafa
4-Aulon Kalaja
5-Ted Kolliku
6-Alma Kore
7-Parid Mahmutaj
8-Xhemajl Gjunkshi
9-Hysen Kadiu e një sërë emrash të tjerë.
