Eshtrat e gjetura dy ditë më parë në vendin e njohur si “Fushë Kuqe” të Kurbinit kanë vënë në lëvizje autoritetet e vendit për të gjetur se cilës viktimë i përkasin ato. Ndërkaq, mësohet se e vetmja mënyrë për të zbuluar këtë gjë është kryerja e testit të ADN-së te familjarët e personave që janë shpallur të zhdukur në zonën përreth.
Në fakt, në këtë zonë rezultojnë disa të zhdukur, por duke marrë parasysh madhësinë e eshtrave, policia pritet që të nisë verifikimet tek familjarët e një adoleshenti nga Mamurrasi i cili rezulton i zhdukur që prej vitit 2015.
Policia ka dyshime të forta se eshtrat që u gjetën në Fushë Kuqe i përkasin 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj, të zhdukur 7 vjet më parë në këtë zonë. Kështu, për të çuar deri në fund këtë dyshim, policia do t’u marrë mostrat e AND-së familjarëve të Gjonajt në mënyrë që të vërtetojë nëse eshtrat i përkasin Mariglen Gjonajt apo jo. Kujtojmë që kur u zhduk adoleshenti në 2015 teksa po ikte për në shkollë nëMamurras, atij nuk i’u gjet asnjë gjurmë atë kohë.
Ndërkohë, xhaxhai i tj, Fran Gjonaj ka folur së fundmi duke rrëfyer se lajmin e kishte marrë vesh nga mediat. Ai dyshon se ato mund të jenë eshtrat e djalit të familjes, pasi edhe zona ku ai është zhdukur përkon me atë ku u zhduk 16-vjeçari.
“Dje ka dal një lajm në TV. Ka dal fotografia e djalit tonë. Unë jam xhaxahi se babanë nuk e ka se është vrarë në 2005. Dje dolën mediat duke thënë se dyshohet se është kufoma e dalit tonë. Për më shumë këtë e përcakton mjeku mjekoligjor dhe me e përputh me ADN, E kanë në dosje ADN dhe nëna e djali e ka dhënë ADN. Nuk kemi më nevojë por e kemi dhënë një ADN.”
“Mendoj që kanë bërë hetime në atë kohë. Por tani jemi në këtë ditë që jemi sot. I bëj apel shtetit tonë. I bëjmë apel nëse e ka ndarë mendjen për të shkuar në fund do themi që paska shtet dhe nuk ka vdekur shteti. Ne e provojmë në hallin tonë. E duam një përgjigje. Po presim prej shtetit. Ishalla del në dritë ngjarja. Ishalla del e vërteta le të bëhet transparente. Të dalin të thonë janë apo jo të tij. Nuk e vulosim dot, vetëm mjekësia. Ne duam ta çojmë tek i ati nëse është ta dimë ta mbledhim mendjen.”
“Nëse është i joni e pranojmë si të jetë. Se shkojmë ndezim një qiri edhe atje. Dyshime janë shumë se në atë zonë bëhet fjalë se është zhdukur djali jonë. S’kemi ca të themi më. Na kanë rënë shumë gjëra. Të nxjerrin të vërtetën. Të mendojnë si për fëmijën e vet” u shpreh ai.
