Bimët përbëjnë një nga pasuritë më të mëdha të planetit. Pa to, asnjë qenie shtazore, përfshirë dhe njeriun, nuk mund të ekzistojë. Përfitimet që nxjerr shoqëria njerëzore prej tyre janë të panumërta.
Bimët, qofshin alga, myshqe, bimë barishtore, shkurre apo drurë me apo pa lule vuajnë si të gjitha qeniet e tjera të këtij planeti trysninë që diktojnë tekat e motit dhe veprimtaria e shfrenuar e njeriut.
Ka disa shekuj që ekzemplarët e llojshmërisë së pafund të florës ruhen jo vetëm në formën e herbarëve, teknikë e përdorur për herë të parë në shekullin e 14-të, por edhe si koleksione të gjalla sistematike në kopshtet botanike.
Historia e grumbullimit të bimëve në kopshte botanike është mjaftë e vjetër. Nëse Faraoni i gjashtë i dinastisë së 18-të të Egjiptit, Thoutmosis, grumbullonte bimë për qëllime mjekësore, në shekujt në vijim motivet e krijimit të kopshteve ishin shumë më tepër se kaq.
Në pothuajse gjithë qytete e mëdha të Europës u ngritën një sërë kopshtesh botanike. Të tillë ishin ai i Hamburgut në vitin 1540, i Zyrihut në vitinvitin 1560, i Vjenës në vitin1573, i Berlinit më 1573, i Kopenhagenit më 1600, Edinburgut më 1670 e kështu me radhë. Kopshtet botanike u bënë jo vetëm qendra të rëndësishme për studime e kërkime shkencore, por edhe qëndra që shërbyen e shërbejnë për qëllime didaktike e edukative.
Ndonse me vonesë, por edhe vendi ynë ndërtoi një kopsht botanik në Tiranë, historia e të cilit filloi në vitin 1964. Një botanist mendjendritur i Katedrës së Botanikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Profesor Mustafa Demiri, është arkitekti i konceptimit e realizimit të Kopshtit Botanikë të Tiranës, që mori formën e plotë në vitin 1971. U deshën jo pak, por 7 vite punë intensive e plotë pasion.
Kopshti Botanik, me një sipërfaqe prej 15 hektarësh ndodhet në një nga zonat më të preferuara të kryeqytetit, diku afër liqenit artificial të Tiranës.
Imagjinoni sa punë u desh për të sistemuar një terren të virgjër, për të ndërtuar ujmbledhësin që do të shërbente për ujitjen e bimëve të kopshtit, ujëmbledhësin tjetër për rritjen e bimëve të ujit, për ndërtimin e rrugëve, parcelave në formë amfiteatri antik për sisemtatikën e bimëve, për ndërtimin e serës për qëllime floristike etj. Shumica e punëve janë kryer me krahë, ditë pas dite, muaj pas muaji dhe vit pas viti.
Ndërtimi i Kopshtit Botanik përkon pjesërisht edhe me kohën kur unë isha student në Fakultetin e Shkencave të Natyrë në vitet 1967-1971. Profesor Demiri, ky punëtor i madh i dijes në fushën e botanikës, fatmirësisht ishte edhe një nga profesorët e mi të nderuar.
Unë dhe gjithë studentët e brezit tim të biologjisë punuam me kazma, lopata, tezga e karroca dore për sistemimin e dherave. Të gjithë e ndjenim se po bënin një gjë me vlerë për vendin. Profesor Demiri, gjithmonë i pranishëm në punime, ka prekur me dorën e vet çdo cm2 të këtij terreni.
Kopshti duhej mbushur me bimët e florës sonë. Një brez i tërë botanistësh e punonjësish të talentuar harxhuan muaj e vite të tëra për të grumbulluar e mbjellë bimët e Shqipërisë. Ata i ranë kryq e tërthorë maleve, luginave, kodrave, fushave, ligatinave e liqeneve për të grumbulluar ekzemplarët e bimëve tona.
Ekspeditat e tyre ishin të vështira. Ata nuk kishin as makina dhe as paimet e duhura. Iknin me ditë të tëra larg familjes, flinin, laheshin dhe hanin ku mundnin. Ktheheshin duke patur në çantat e arkat e tyre bimë nga më të ndryshmet, duke u kujdesur që të mos vyshkeshin rrugës, por të ruanin fuqinë mbirëse të tyre. Edhe kur mbilleshin duhej kujdes i veçantë për to.
Çdo bimë ka tekat e veta. Ajo rritete në një lartësi të caktuar, në një lagështi të caktuar, në një temperaturë të caktuar dhe në një tokë me përbërje kimike të caktuar. Këto bimë duheshin përshatur në kushtet e reja të Kopshtit Botanik, gjë që kërkonte përsëri profesionalizëm të lartë. Punonjësit e këtij kopshti, i dhanë frymë nga fryma e tyre çdo bime, dhe çdo fije bari.
Vitet bënin punën e tyre. Një ditë po e shoqëroja profesor Mustafain, pasi kish mbaruar ditën e gjatë të punës në fakultet. Ishim në qendër të Tiranës. Tani jam në një moshë që po eci mbi mina – më tha. U trishtova dhe e kundërshtova duke i thënë se ai nuk kishte ndryshuar qëkurse unë e kisha njohur si student i tij.
Profesori u shtrua njëherë në spital për tu kuruar. Mjekët më kanë thënë se ai edhe pse i sëmurë nuk e hiqte letrën e stilografin nga dora. Vazhdonte të shkruante e të shkruante. Koha nuk mjaftonte kurrë për të. Sot ai nuk është mes nesh. Ai punoi shumë dhe la pas jo vetëm kopshtin botanik, por një sërë veprash të çmuara në fushën e botanikës.
Kopshti vazhdon të jetë po aty. Është kafshuar me gati një hektar për hapjen e unazës së re të kryeqytetit. Vite më von një vendimi qeverie synoi t’i ndryshonte pronësinë, çka zëmrëoi jo vetëm profesorët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës e Universitetit të Tiranës, por edhe shoqërinë civile.
Për fat të mirë Gjykata Administrative e rrëzoi këtë vendim dhe e la kopshtin në pronësi të Universitetit të Tiranës dhe jo të Bashkisë së kryeqytetit. Tani shpirti i Profesor Demirit dhe gjithë atyre që e ngritën me kaq e pasion këtë pasuri kombëtare është më i qetë. Më të qetë janë edhe nxënësit e profesorit që vazhdojnë t’i shërbejnë jo pa vështirësi kopshtit.
Më të qeta janë edhe mijra lloje bimësh të këtij kopshti, një një pjesë e të cilave janë endemike për Shqipërinë tonë.