Në ndeshjet e mbrëmjes së sotme në kuadër të fushatës kualifikuese të Euro 2020, bie në sy fitorja prej shtatë ballësh e Anglisë në shtëpi ndaj Malit të Zi. Britanikët sigurojnë me shumë stil pjesëmarrjen në Europian, ndërsa nuk u përmbajtën aspak me Malin e Zi. Anglia shënoi pesë herë brenda pjesës së parë, ndërkohë në të dytën realizoi edhe dy herë të tjera. Ai që shkëlqeu më shumë mbi të tjerët ishte sulmuesi Heri Kejn. Futbollisti i Totenhem realizoi tre gola dhe udhëhoqi ofensivën e “ Tre Luanëve”.
Sakaq, pjesa tjetër e golave u plotësua me realizimet e Çambërlein, Rashford, Abraham dhe një autogol i Sofrank. Ndërkaq, mbrëmja i përket edhe Kristiano Ronaldos. Sulmuesi pavarësisht pretendimeve se ka një dëmtim në gju, ia doli të shënonte një tregolësh duke marrë në krah Portugalinë në suksesin e tyre shtëpiak përballë Lituanisë me rezultatin 6-0. Në listën e golashënuesve për luzitanët ishte edhe Pizi, Pacienca dhe Bernardo Silva.
Një fitore të vuajtur ka marrë Franca. “Gjelat”, kampinë të botës mposhtën me vështirësi modestët e Moldavisë. Miqtë kaluan në avantazh duke befasuar të besuarit e trajnerit Deshamp. Franca ia doli të barazonte në pjesën e parë falë golit të Varan, ndërsa në të dytën përmbysën vetëm falë një penalltie të ekzekutuar saktësisht nga Zhirud. Kështu, Franca, e cila është në grup me Shqipërinë dhe ndeshjen e ardhshme e kanë ndaj kuqezinjve, tashmë kanë siguruar kualifikimin por jo vendin e parë.