Michel De Maegd, Eurodeputeti belg, ka qenë mjaft i ashpër në interpretimin e tij për situatën me interpretimin e kënges nacionaliste serbe, e cila paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë, gjatë hapjes së Forumit të parë për Zgjerimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Duke iu drejtuar komisionares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, De Maegd ka kërkuar që Bashkimi Evropian të mos e relativizojë historinë e Kosovës dhe të shprehë një kërkimfalje për atë që ndodhi gjatë ceremonisë.
Eurodeputeti belg ka rikujtuar përvojën e tij në Kosovë gjatë vitit 1999, kur si reporter i luftës kishte kaluar tre muaj me popullin e Kosovës dhe kishte dëshmuar nga afër represionin e regjimit të atëhershëm të Slobodan Millosheviqit.
Ai ka përmendur mbi 14 mijë të vrarët, viktimat e pafajshme dhe dëbimin e rreth 850 mijë shqiptarëve nga shtëpitë e tyre gjatë luftës.
“Gjatë vitit 1999, si reporter lufte, kam kaluar tre muaj me popullin e Kosovës. Kam jetuar me ta dhe kam përjetuar represionin e egër të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Lufta, mbi 14 mijë të vrarë në Kosovë. Viktima të pafajshme. Pastrimi etnik, me 850 mijë kosovarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre në atë kohë. Kampet e refugjatëve, bombardimet dhe më pas, fatmirësisht, kthimi triumfues në Prishtinë dhe në atë që sot është një shtet i pavarur”, ka deklaruar De Maegd.
