Facebook ka konfirmuar se do të vazhdojë të ndalojë përmbajtjen talebane nga platformat e saj pasi e konsideron grupin si një organizatë terroriste. Kompania thotë se ka një ekip të dedikuar ekspertësh afganë për të monitoruar dhe hequr përmbajtjen e lidhur me grupin. Për vite me radhë, talebanët kanë përdorur mediat sociale për të përhapur mesazhet e tyre. Pushtimi i shpejtë i Afganistanit ngre sfida të reja për firmat teknologjike se si të merren me përmbajtje të lidhura me grupin. Një zëdhënës i FB tha për BBC:
“Talebanët janë të sanksionuar si një organizatë terroriste sipas ligjit amerikan dhe ne i kemi ndaluar ata nga shërbimet tona sipas politikave tona të Organizatës së Rrezikshme. Kjo do të thotë që ne heqim llogaritë e mbajtura nga ose në emër të talebanëve dhe ndalojmë lavdërimin, mbështetjen dhe përfaqësimin e tyre.”
Facebook ka përcaktuar talebanët si një organizatë të rrezikshme për shumë vite. Gjiganti i mediave sociale tha se nuk merr vendime në lidhje me njohjen e qeverive kombëtare, por përkundrazi ndjek “autoritetin e bashkësisë ndërkombëtare”. Facebook theksoi se politika zbatohet për të gjitha platformat e saj duke përfshirë rrjetin e saj kryesor të mediave sociale, Instagram dhe WhatsApp. Sidoqoftë, ka raporte se talebanët po përdorin WhatsApp për të komunikuar. Facebook i tha BBC -së se do të merrte masa nëse zbulonte se llogaritë në aplikacion ishin të lidhura me grupin.
