Pas sulmeve terroriste në Zelandën e Re dhe transmetimin e tyre live në Facebook, gjiganti teknologjik ka vendosur të kufizojë përdorimin e këtij funksioni për ata që dhunojnë rregullat e rrjetit social, përfshi edhe rregulla për grupet apo individë të rrezikshëm. Këtë e ka bërë të ditur vetë Facebook.
Kompania thotë se ka firmosur një bashkëpunim të ri prej 7.5 milionë dollarë me tre universitete amerikane për të përmirësuar teknologjinë që u jep mundësinë të identifikojnë video apo foto të manipuluara për ti shpëtuar kontrollit dhe të postohen si të reja, si në rastin e Christchurch.
“Nga sot, kushdo që do të shkelë politikat tona më serioze do të kufizohet në përdorimin e Live për një periudhë kohe, për shembull për 30 ditë, duke nisur që nga dita e shkeljes”, thotë Facebook.
Një shembull është shpërndarja e një link apo deklarate të një grupi terrorist pa asnjë kontekstualizim. Platforma ka synimin të shtrijë kufizimet edhe në fusha të tjera javën e ardhshme, duke nisur nga parandalimi i të njëjtit shkelës të krijojë lajmërime publicitare në Facebook. Bashkëpunimi me universitetet e Maryland, Cornell, dhe Barkeley do të gjejë teknika të reja për të zbuluar media të manipuluara përmes fotove, videove apo audio, dhe për të dalluar mes postimeve të pavetëdijshme dhe atyre të modifikuara me qëllim.