Një audio-fake në italisht, që qarkullon në whats up dhe në mediat sociale po shkakton alarm në Durrës. Zëri i një burri që flet italishte të përsosur i bën të ditur një personi imagjinar i cili banon në Durrës se duhet të largohet nga katet e sipërme të banesave, pasi, “sipas ushtarakëve”, një tjetër tërmet “gjatë natës” mund të shkaktojë ne Durres shumë dëme “për shkak të shiut”.
Audioja qarkullon që nga dita e djeshme dhe parashikimi-fake i referohej natës së mbrëmshme, gjatë së cilës nuk u regjistrua asnjë tërmet i fuqishëm. Por lajmi u shpërnda vetëm sot dhe, ndonëse ishte “i skaduar”, sikurse ndodh në të tilla raste po shpërndahet në mënyrë virale, duke shpërthyer një alarm krejtësisht pa baza.
