Fermeri dibran, Zija Keshi, i njohur për sjelljen në Shqipëri dhe kultivimin e disa varieteve më të rralla të frutave, ka nisur së fundmi prodhimin në sasi të kufizuara për momentin të dardhës japoneze, ndërsa vijon kultivimin e frutave medicinale si aronia, goji berry, boronicat etj.
Ai ka rritur prodhimin e frutave medicinale ashtu si edhe frutave të varieteve të veçanta duke u ofruar konsumatorëve jo vetëm prodhimin e tij por fidanë për kopshtet dhe bahçet e tyre.
Më e veçanta është dardha japoneze. Ajo cilësohet si varieteti me shijen më të mirë dhe më të kërkuar në botë por që kërkon kushte klimatike të posaçme për të dhënë frutat e shumë dëshiruar.
“Dardha japoneze njihet në botë për shijen e saj të veçantë dhe është shumë e rrallë si varitetet. Kultivimi i saj kërkon së pari kushtet klimatike dhe kujdesin e duhur. E veçanta e saj është që jep fruta që në vitin e dytë të kultivimit. Unë në fermën time e eksperimentova në vitin 2019 dhe rezultoi e suksesshme duke ofruar frutat e para në vitin e dytë të kultivimit. Fidanët i’u përshtatën më së miri kushteve si dhe strukturës së tokës. Kushdo që e ka provuar ka mbetur i mahnitur nga shija e saj sepse është me të vërtetë unike. 2-3 minuta pasi konsumohet ndijesia e shijes është e çuditshme, pak e ëmbël, pak e athët dhe pak si alkol” shprehet Zijai.