Festa e Gjalicës festohet çdo vit në të gjthë fshatrat e Rrafshës së Lumës dhe shpateve të Gjalicës. Këtë vit nën guidën e kuksianit Ermal Hallaçi , Smile Albania në Kukës dhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura organizuan një ngjitje të majës së Gjallicës, 2489 mbi nivelin e detit. Ajo është pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik.
Me simbolikën e festës aktiviteti kishte si qëllim njohjen e të pranishmëve me peisazhet natyrore turistike, traditat kulturore të zonës si dhe promovimin e sportit të ngjitjeve Alpinistike.
Itinerari filloi nga qyteti i Kukësit, ndalesa e parë ishte te Kroi i Bardhë ne Llakator, ku besimtarët zbresin te stanet e bjeshkëve të Shtiqenit për të festuar pas faljes. Më pas grupi vijoi në Vojvodë ku u ngrit kampi i pushimit në stanet e Kroit të Kuq. Më pas vijoi me ngjitjen në majën e Gjallicës, ku 2486 m të këtij mali i ofruan pjesëmarrësve pamje mahnitëse të zonave përreth. Një peizazh që të lë pa fjalë!
Por çfarë është festa e Gjallicës?
Festa e Gjalicës përkujtohet në të gjithë fshatrat e Rrafshës së Lumës (Shtiqën, Muje, Gjalicë, Kodër-Lumë, Krenzë, Ramhas, Gostil, Nangë) dhe të shpateve të Gjalicës (Lagjia Brati dhe Canaj, Tërshenë, Brekijë, Nimçë, Lojme), por më së shumti i dedikohet fshatit Shtiqën.Kjo ditë e shënuar e vitit që populli e emërton “Festa e Galliçes, Dita e Gjalliçes, apo Festa e Gjalicës” festohet të enjten më të afërt pararendëse apo pasuese, të datës 6 gusht të çdo viti, që në kalendarin tradicional popullor shënon mesin e verës.
Këtë ditë, ata që do të bëjnë faljet për nder të majës së Gjalicës duhet të arrijnë atje pa lindur dielli. Riti i faljes bëhet në Rrafshin e majës afër burimit te Kroit Tanzot.Pas faljes pjesëmarrësit e kësaj ceremonie zbresin te stanet e bjeshkës së Shtiqnit, te “Kroi i Bardhë”, ku hahet, pihet, zhvillohen lojëra, gara qitjeje me armë zjarri, këndohen këngë e hidhen valle të shoqëruara me instrumente popullore. Pas kësaj të gjithë zbresin në fshat. Çdo shtëpi është e përgatitur për darkën e kësaj feste, ku nuk duhet të mungojë asgjë. Përveç të afërmve të largët në këtë darkë mund të vijë kushdo që dëshiron dhe është i mirëpritur.