Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, dha një lajm të mirë për adhuruesit e futbollit shqiptar. Ai theksoi se pas negociatave me Ligën Profesioniste, qeveria shqiptare është shumë pranë arritjes së marrëveshjes përfundimtare, e cila në thelb shtoi ai, synon të rikthejë klubet në fushën e blertë.
Deputeti i PS-së i cili është caktuar nga kryeministri Rama për negociata me Ligën Profesioniste, u shpreh se të premten pritet të arrihet një marrëveshje për rinisjen e superligës shqiptare, duke i dhënë fund bojkotit.
“Është gjetur dakordësia për tre pika. Për një nga këto pikat nuk është se nuk është gjetur zgjidhja, por ky është një evdnim politik, që do të thotë se në raste se liga kërkon faljen e gjobave dhe kamatëvonesave, ky është vendim që e merr Parlamenti, nuk e marr as unë dhe as komisioni. Duhet bërë një ligj apostafat faljeje, dhe unë nuk jam dakord që të falet vetëm futbolli, por unë jam dakord që të falen edhe bizneset tjera. Ky është një vendim që e merr kryeministri. Pika më delikate është ligji i sponsorizimit. Liga ka sjellë një propozim, ne jemi ulur si grup dhe kemi bërë debate, dhe ne kemi dalë në një konkluzion dhe po ti shikosh dy raporte janë të njëjta. Liga kërkon një lloj garancie për tatim-fitimin. I kemi bërë sot një memo kryeministrit, ia kemi çuar dhe besoj se deri të premten ne do të kemi një zgjidhje përfundimtare. Zgjidhja është bërë. Sigurisht që është gjetur një gjuhë. Janë në tavolinë dy drafte. Ministrja ishte shumë e hapur. Jam i bindur se do gjendet zgjidhja, dhe me këtë ligj nuk do të fitojë vetëm futbolli, por i gjithë sporti shqiptar”, tha ai për Euro News.
