Tre persona janë vënë në pranga nga policia e Fierit për kultivim të bimëve narkotike. Sipsa burimeve zyrtare njëri prej tyre ishte në kërkim për të njëjtën vepër. Ata kanë kultivuar në një banesë të braktisur në fshatin Kreshpan kubikë fidanë kanabisi.
NJOFTIMI
Fier
Policia godet një tjetër rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Bien në prangat e Policisë 3 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasit E. Y., 37 vjeç (i shpallur në kërkim, me masë sigurie “Arrest në burg” të caktuar nga Gjykata për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”) dhe Xh. T., 27 vjeç, të dy banues në Fier, pasi në një banesë të braktisur në fshatin Kreshpan, janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke kultivuar në kubikë fidanë cannabis sativa.
Gjithashtu, për këtë rast u arrestua për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasi G. Y., 21 vjeç, banues në Kreshpan, i cili gjatë momentit që autorët janë pikasur nga shërbimet e Policisë, ka ndihmuar shtetasin Xh. T. të largohej nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
