Instituti i Studimeve politike, bazuar në përkatësinë e zonave elektorale dhe treguesit personalë të efikasitetit të deputetëve ka arritur në pwrfundimin se deputetët e qarkut Fier janë më aktivët dhe më të suksesshmit në parlament, me mesatare 31,92 nga totali i 100 pikëve. Në këtë qark bëjnë pjesë disa nga deputetët më efektivë në parlament, përfshirë Braçe, Dhima, Fino, Vasili, etj. Për efekt të rolit specifik në parlament nuk është marrë në vlerësim kryetari i Kuvendit Ruçi, i cili gjithashtu është deputet i këtij qarku. Qarku i dytë me mesataren më të lartë të angazhimit në parlament është qarku i Elbasanit, me mesatare 28.89% pikë, ku bëjnë pjesë gjithashtu deputetët me pozita të larta në renditjen e efikasitetit, si Balla, Kushi, Ulqini, Spaho, Kryemadhi, etj.
Në krahun tjetër të listës së përfaqësimit të qarqeve, me koeficientin më të ulët të përfaqësimit në totalin e deputetëve të qarkut, kryeson qarku Shkodër me mesatare të efikasitetit vetëm 13,55 ose rreth 2.3 herë më e ulët sesa mesatarja e qarkut me përfaqësim më të suksesshëm. Në nivele të përafërta me Shkodrën ndodhet edhe qarku Lezhë me mesatare vlerësimi vetëm 14,86 pikë, pasuar nga Kukësi me mesatare 18,46% pikë, etj.
Sipas ISP-së vlen të theksohet se qarqet me rezultat më negativ në përfaqësim janë edhe qarqet që kanë votuar më shumë për deputetët e opozitës, të cilët kanë pasur marrëdhënie të kushtëzuara me parlamentin, dhe për pasojë, deputetët janë kufizuar në ushtrimin e plotë të mandatit të tyre. Megjithatë fakti se edhe në sesionin e kaluar kur opozita ishte në parlament, edhe sesionin e vjeshtës kur ajo nuk ishte qarqe të tilla rezultojnë përsëri me treguesit më kritikë të përfaqësimit, do të thotë se cilësia total e përfaqësimit parlamentar në këto qarqe ka qenë e mbetet problematike.