Policia në Madrid ka arrestuar një 53-vjeçar i cili akuzohet se ka regjistruar video intime të më shumë se 500 femrave pa dijeninë e tyre dhe pamjet i postonte në faqe pornosh.
Policia e arrestoi në flagrancë teksa ishte duke regjistruar një prej tyre, duke përdorur një telefon të fshehur në një çantë shpine. Hetimet tregojnë se ai ka hedhur online 283 video të 555 viktimave të tij, disa prej të cilave minorene, me regjistrime që kanë marrë miliona shikime online, sipas njoftimit të policisë, raporton CNN.
“Upskirtin” quhet praktika e filmimit të dikujt që zhvishet pa lejen e tij, dhe në Angli dhe Uells prej muajit prill është bërë vepër penale, ndërsa në Skoci është joligjore që nga 2010. Ndërsa në Spanjë nuk është vepër kriminale, por i dyshuari akuzohet për dhunim të privatësisë dhe mashtrim të të miturve thotë për CNN një zëdhënës i policisë.
Hetimet nisën pasi policia vuri re një llogari në një faqe interneti porno që ngarkonte video intime të regjistruara në Madrid pa pëlqimin e femrave. Pas analizës së videos u arrit tek i dyshuari. Gjithashtu policia sekuestroi një lap top dhe tre disqe me dhjetëra giga byte filmime.
“I arrestuari në përgjithësi i regjistronte viktimat në zona të populluara, si metro para se t’i ndiqte në rrugë, ndonjëherë dhe duke u prezantuar me to në supermarkete apo dyqane”, thotë policia. Ai arrinte të regjistronte 29 viktima në ditë në një periudhë 5-ditore.
Përdorimi i teknologjisë për të kryer krime seksuale po merr vëmendje botërore në rritje.