Deputeti i PD-së, Flamur Noka, i cili ka dalë hapur dhe është në mbështetje të ‘Foltores’ së Sali Berishës thotë se edhe pistoletën po t’i vënë, ai nuk e vret forcën e tij politike, duke nënkuptuar këtu përjashtimin e Berishës, por do jepte dorëheqjen. Noka u tha se një lider kur merr një vendim, nuk duhet ta shohë vetëm në aspektin personal por duke marrë parasysh efektin që ka te forca e tij politike.
‘Në politikë nuk ka sentiment dhe nuk duhet të ketë sentiment. Dua një PD të fortë, të bashkuar dhe fituese. Basha ka 8 vite nuk na çoi dot në fitore. Si do na çojë në fitore pas kësaj përçarje që e çoi partinë. Një drejtues kur merr një vendim të rëndësishëm nuk duhet ta shohë në aspektin individual. Ne po akuzojmë Edi Ramën. Tashmë ai është një autokrat. Ti si mundesh të marrësh vendim duke përdhosur institucionet. Tregon që tip o jep shenja autokracie brenda partisë. Cili është besimi që mund të kem unë për institucionet nesër kur ti sot i shkelmon. Sikur edhe pistoletën këtu të më vënë dhe më thonë vrite forcën tënde politike, unë nuk e vras. Jap dorëheqjen. Sepse ky do ishte dobësim dhe i çon ujë Edi Ramës. Nuk mund t’i shërbejë kurrë Edi Ramës”, tha Noka.