Mbrëmjen e kaluar një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fier, ku i plagosur rëndë ka mbetur Nuredin Dumani. Fqinjët e të plagosurit kanë treguar tmerrin që kanë përjetuar në lagjen “Apollonia”, aty ku zbarkoi RENEA për të shumëkërkuarin.
Një ditë pas pasi Dumani u vu në pranga e tashmë ndodhet tek Spitali i Traumës, fqinjët janë shprehur se janë tmerruar nga zhurmat që kanë dëgjuar, por që nuk e kuptonin se çfarë po ndodhte.
Për Dumanin ata kanë shtuar se ai kishte vetëm një javë që e kishte marrë atë shtëpi me qira dhe se ata janë ndjerë të frikësuar gjatë gjithë kohës.
“Banesën me qira e ka marrë para një jave. U tmerruam nga zhurmat. Ishim në gjumë kur dëgjuam zhurmën dhe u trembëm. Komplet pallati ishte në terror, nuk e kuptonim se çfarë po ndodhte. Kishim frikë, nuk dinim kujt t’i drejtoheshim,”- janë shprehur fqinjët.
“Kishim frikë! Ishim në gjumë kur dëgjuam zhurmë. Katalizmo ishte. Unë tani e mora vesh që ishte një person që kishte ardhur nga Elbasani. Ky pallat është i banuar me qiraxhinj dhe me familjarë. Shumë keq e përjetuam, komplet pallati ishte në terror. Nuk dinim çfarë ndodhte, nuk dinim çfarë bëheshe. Ne e dinim që në atë banesë jetonte një italian”, tha një banore e pallatit.
“Iku para një jave po nxirrnin rrobat përjashta, dhe ka ardhur tjetër. Para 4 ditësh trokita sepse po bënin shumë zhurmë sepse unë jam poshtë tyre. Më thanë po nëna, por bën zhurmë ai lart. Mbrëmë tmerr deri në 5 të mëngjesit, bënin zhurmë. Ishte policia i thoshte hap derën, me shkelma dera, pastaj rreth e qark kishte polici, me drone e me snajper, panik i paparë dhe nuk dinim cfarë të bënim dhe çfarë po ndodhte”, u shpreh fqinja.
