Vito Kapo, ish-anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe bashkëshortja e një prej udhëheqësve më me influencë të kohës së komunizmit, Hysni Kapos, hedh poshtë çdo akuzë që bëhet ndaj Luftës Nacionalçlirimtare dhe heronjve të saj, duke i cilësuar si kriminelë lufte.
Ajo mohon në mënyrë kategorike se gjatë Luftës partizanët mund të kenë bërë krime në civilë, ndërsa nuk mohon faktin se gabime janë bërë gjatë viteve kur PPSH-ja ishte në qeverisje.
Sipas saj, qëllimi i atyre që ngrenë tezat e një lufte civile dhe krimeve të partizanëve në të është denigrimi dhe ulja e vlerave antifashiste të një Lufte që u zhvillua nga rinia në emër të lirisë dhe për çlirimin e vendit.
Ju besoj i keni ndjekur debatet e javëve të fundit për Luftën dhe listën prej 265 drejtuesve partizanë, që kanë marrë pjesë në krime. Ju keni qenë partizane, si jeni ndjerë kur i dëgjoni këto?
Është e tmerrshme të dëgjosh fjalë të tilla për heronjtë. Kush janë këta, që heronjtë që dhanë jetën për atdheun, në lule të rinisë, duan të na i bëjnë kriminelë. Mustafa Matohiti dhe Baba Faja e Martaneshit kanë qenë drejtuesit më heroikë të Luftës për Çlirimin e atdheut. Këto janë gjëra të ulëta, është e tmerrshme. Kur kam dëgjuar këto poshtërsi ndaj Luftës dhe heronjve, kam ndjerë jo neveri, por një urrejtje ndaj këtyre njerëzve. Unë e kuptoj përse e bëjnë këtë, sepse duan që ta ulin Shqipërinë në rolin e saj antifashist. Vërtet, Shqipëria ishte një vend i vogël, me dy milionë banorë, por pesha reale e saj në kontributin antifashist ishte heroike për mbrojtjen e vegjëlisë kundër nazifashizmit.
Autorët e një botimi të Institutit kundër Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, përmes arkivave, dalin në konkluzionin se gjatë Luftës janë bërë edhe vrasje mes shqiptarëve, duke e kthyer atë në një luftë civile, sidomos pas Konferencës së Mukjes. Ju si i gjykoni këto deklarata?
Ajo ishte një luftë e vërtetë kundërshtarësh, jo vëllavrasjeje. Ata që iu bashkuan pushtuesit, ishin njerëz kundër Shqipërisë së lirë dhe të pavarur. Ku ka gjë më të madhe sesa Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, e vajzave dhe djemve në lulen e rinisë, që dhanë jetën në emër të rinisë dhe me fjalën liri në gojë? Si mund të ngatërrohen anëtarët e Ballit me partizanët për të ulur sa të mundin vlerat e kësaj lufte dhe këtij heroizmi. Unë po ju them një rast. Sali Butka vrau veten. Në fillimet e tij, ai ishte patriot, më vonë, me gabimet që bëri, e pa veten asgjëkund dhe shkoi në vetëvrasje. Ky rast e tregon vetë se cilët ishin heronjtë dhe cilët tradhtarët e atdheut.
Studiuesit këmbëngulin se janë bërë krime me urdhra të PKSH-së, p.sh. është dënuar me vdekje Zef Ndoji sepse u shpall spiun, apo u dha urdhër në 1946 që të digjen 40 shtëpi në veri, sepse ishte strehë e reaksionarëve ndaj pushtetit popullor. Këto janë bërë?
Kurrë nuk ka pasur urdhra të tillë, për të vrarë civilë apo djegur shtëpi të popullit. Kurrë nuk kam dëgjuar gjëra të tilla.
Por janë gjetur dokumente në arkiva ku raportohet për veprime të tilla…
Lufta Nacionalçlirimtare e ka zënë vendin e saj në histori dhe në popull, sepse ajo u organizua dhe shqiptarët u bashkuan në këtë luftë për të çliruar popullin dhe atdheun. Ne mbase bëmë më shumë gabime kur ishim në pushtet, por jo në Luftë. Lufta ishte e pastër, heroike dhe e lavdishme. Si mund të njolloset sot gjaku i 28 mijë dëshmorëve që dhanë jetën për liri?! Ky është një turp që shqiptarët po bëjnë për historinë e vet! Ne nuk pranojmë të na përdhosin të huajt dhe këta shqiptarë që ngrihen sot dhe ulin Luftën, a janë shqiptarë a çfarë janë?! /Marrë nga Panorama