Sot, një vit më pas duket normalitet të dëgjosh shifra infektimi me Covid-19 mbi 1000 në ditë në Shqipëri, por para një viti, lajmi për infektimin e pacientit të parë brenda kufijve tanë, shkaktoi frikë dhe pasiguri.
Frika do të pasohej shpejt me llahtarinë që përcillej ekraneve nga kryeministri e Komiteti i tij i Ekspertëve. Më datën 9 mars 2020, pacienti zero u konsiderua një djalë 28 vjeçar,i cili kishte udhëtuar nga Italia drejt Shqipërisë dhe kishte shfaqur shenjat e Covid-19. Bashkë me të, shfaqi shenjat e infektimit edhe i ati.
Mjeku Rexhep Muja, identifikoi pacientin zero, ndërsa rasti ishte raportuar nga mjeku i familjes.
“Ne nisëm bisedën për këtë rast. Për të zbuluar edhe zinxhirin e transmetimit. Arritën të kuptojmë që ky ishte një rast i dyshuar dhe ishte i mundshëm. Kishte kontakte shumë në Firence dhe kishte ardhur në Shqipëri në rrugë tokësore”, thotë Muja për emisionin “Vetting”.
Mjekët nuk e dinin çfarë fshihte ky virus… e gjithë bota ishte thuajse e papërgatitur për këtë situatë. Padyshim, frika dhe pasiguria do të mbërthenin pikës pari bluzat e bardha.
Doktor Muja tregon ndjesitë e fillimit të pandemicë dhe frikën e kontaktit të parë me një person të infektuar me Covid.
“Ishte vështirë, por me këmbëngulje arritëm. Testuam fillimisht rastin zero dhe prindërit. Pastaj morëm të gjitha kontaktet e mundshme, lidhjet miqësore të ngushta si familje fisnike që ishte. Duhet të ruaja veten dhe familjes”, rrëfen mjeku.
Përveç frikës që ishte krejt e zakontë në të gjithë botën, për pacientin zero ishte edhe presioni stigmatizues ndaj njeriut që solli i pari këtë virus në Shqipëri.
“Në momentin që kam hyrë në familjen e tyre duke i qetësuar edhe familjarët”, thekson mjeku.
Gjatë ditëve që pasuan, rastet nisën të shtoheshin me ritme relativisht të ulëta, por u shënua ndërkohë edhe viktima e pare, një e moshuar nga Durrësi.
Më pas një tjetër i moshuar dhe një tjetër… e megjithatë shifrat ishin të ulëta në raport me atë çfarë po ndodhte në Itali prej nga çdo ditë vinin shifra të frikshme të fataliteteve.
Bashkë me rritjen e numrit të infektimeve, rritej edhe tensioni që përcillej nga kryeministria përmes thirrjeve për të respektuar masat për parandalimin e pandemicë. / abc
