Fondi për Komunitetet do të vijojë edhe gjatë 2019 bëri të ditur kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ai ishte në njësinë nr.4, ku inspektoi restaurimin e fasadës së një pallati në rrugën “Myslym Alla”.
“Mezi pres që këtë frymë ta vazhdojmë edhe gjatë 2019-ës. Ne kemi miratuar sërish një fond për pallatet. Edhe për ata që kanë qenë ndoshta dyshues. Pallatet e tjera shohin një pallat që ka dalë në dritë dhe inkurajohen edhe ata. Më vjen mirë që pjesa më e madhe e komunitetit që kanë bashkëpunuar nuk janë bosa dhe pasanikë, janë edhe pensionistë, edhe nga komuniteti rom, egjiptian, edhe njerëz me mundësi të vogla ekonomike. Por, ku ka vullnet, ka gjithmonë një rrugëdalje”, tha Veliaj.
45 familjet e këtij pallati të ndërtuar para viteve ’90 dhe ku nuk ishte vënë dorë prej vitesh, do të kenë kushte më të mira jetese falë ndërhyrjes së bashkisë përmes këtij fondi. “Erdha ta shoh vetë se si edhe një lagje, edhe një komunitet, një bllok pallatesh që nuk e ka shtëpinë në qendër të Tiranës, arrin të organizohet dhe të transformojë realitetin e tij. Estetika, e bukura i ndryshon gjërat, e hijshmja, e pastra, e transformon një qytet, ndaj dua të falenderoj shumë administratorin që ka bërë të gjithë banorët bashkë”, tha ai, teksa ftoi që ky shembull të ndiqet edhe nga komunitetet e tjera.