Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, duket se është gati të sakrifikojë Rei Manajn në ndeshjen kundër Moldavisë, pasi kërkon më shumë forcë në sulm. Edhe pse trajneri ka bërë të qartë se vetëm gjatë ditës së ndeshjes, pas nëj seance në mëngjes, do të vendosë për ndryshimet e mundshme në ekip, nëse do të ketë të tilla, sipas “SuperSport” në repartin e sulmit po mendohet një ndryshim shumë i rëndësishëm.
Kështu Rei Manaj i cili krijoi, por edhe shpërdoroi disa mundësi të mira shënimi ndaj Turqisë, do të kthehet në stolin e rezervave. Në vend të tij, trajneri pritet të aktivizojë Bekim Balajn përkrah Sokol Çikalleshit. Në këtë mënyrë, ai mendon se do të vërë në vështirësi më të mëdha prapavijën e moldavëve.
Ndërkohë, mendohet se ndryshimi tjetër i rëndësishëm do të jetë ai i kthimit të Frederik Veselit në stol, për t’i bërë vend në krahun e djathtë Odise Roshit, i cili do të jetë një forcë ofensive më shumë që në startin e sfidës.