Më 14 janar 2024, Mbretëresha Margaret e Danimarkës abdikoi në moshën 83-vjeçare dhe pas më shumë se 52 vitesh në fron, froni i kaloi djalit të saj Frederick. Por ka gati edhe arkivolin që do të përmbajë hirin e saj kur të vijë koha.
Përgatitja për vendin e prehjes së fundit të Margaretës ka nisur që nga viti 2003, kur skulptori dhe profesori Bjørn Nørgaard u ngarkua të përgatiste një gur varri modern që mund të shtohej në listën e gjatë të gurëve të varreve mbretërore në Katedralen Roskilde.
Projekti i njohur si Sarkofag dhe i përfunduar në vitin 2018, është një vepër e vërtetë arti, për të cilën Nørgaard pati biseda të gjata me çiftin në pushtet për idenë dhe dizajnin përfundimtar. Kostoja totale ka qenë pothuajse 4 milionë euro dhe është paguar nga Parlamenti danez, nëpërmjet Aktit të Financave.
Guri i varrit tashmë është ngritur dhe ndodhet në Katedralen Roskilde, brenda kriptës së Kapelës së Shën Brigidit të stilit mesjetar, i ruajtur shumë mirë dhe në qemerët e së cilës ka afreske të vitit 1511. Që kur Kristiani III u varros në këtë kishë në vitin 1559, këtu kanë pushuar pothuajse 40 mbretër dhe mbretëresha daneze nga Mesjeta e Hershme e deri më sot.
Duke qenë se guri i varrit do t’i shfaqet publikut vetëm pas vdekjes së mbretëreshës, Bjørn Nørgaard ka krijuar një mbulesë që lejon vizitorët në katedrale të vizitojnë kapelën dhe, në vend që të shohin gurin e varrit aktual, të kënaqen me një kopje të tij në miniaturë.




