Ky është Besnik Simoni administratori i fshatit Kallmet në Lezhë që mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në fshatin Kallmet të Lezhës pak minuta më parë. Mësohet se shtetasi Altin Marku është në kërkim pasi cilësohet si autori i dyshuar për plagosjen e kryetarit të Njësisë Administrative Kallmet në Lezhë, Besnik Simoni. Burime nga Policia sqarojnë se Simoni është plagosur në rrugë ndërsa konflikti mes tij dhe autorit ka nisur në zyrë për arsye ende të paqarta.

Shtetasi Besnik Simoni u plagos rreth orës 13:30 dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Lezhës nën kujdesin e mjekëve.

“Rreth orës 13.30, në fshatin Kallmet, dyshohet se pas një konflikti verbal të nisur më parë në zyrë, është plagosur në rrugë, me armë zjarri pistoletë shtetasi B. S., me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Kallmet, Lezhë, i cili është transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Theksojmë se Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe fiksimin e çdo provë materiale që do t’i shërbejë hetimit, për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.
