Arkëmorti me ngjyrë rozë, dhe në krye një foto e Sabrinës e buzëqeshur. Kështu u përcoll për në banesën e fundit në Australi 20-vjeçarja shqiptare që u vra me thikë nga babai i saj, Petrit Lekaj.
Lexo edhe- Krimi në familje trondit Australinë, babai shqiptar vret me thikë brenda në makinë vajzën 20-vjeçare
Si një paniste e shkëlqyer në nisje të ceremonië u shfaq një video e Sabrinës teksa luante në piano. “Më kujtohet kur për herë të parë të dërgova në kursin e pianos dhe i the mësueses: A mund të vij dhe nesër? Më kujtohet diplomimi yt, kur kalove orë të tëra për të rregulluar flokët”, ka rrëfyer mes lotëve Romina Lekaj, nëna e Sabrinës.
Asnjë fjalë për të atin në ceremoninë mortore, teksa e ëma dhe i vëllai e kujtuan plot dhimbje e lot njeriun e tyre të dashur. Në momentin kur Sabrina u përcoll për në banesën e fundit, vëllai i saj Pirro lëshoi në qiell 20 tullumbacë të bardhë, aq sa dhe mosha e saj.
Ka qenë nëna e Sabrinës, Romina e cila ka kërkuar që në ceremoni të kujtoheshin vetëm momentet e bukura të studentes së shkëlqyer shqiptare.
Petrit Lekaj, me origjinë nga Shkodra dhe prej vitesh emigrant në Australi, është akuzuar për vrasjen e së bijës. 49-vjeçari vijon të qëndrojë në spital, ku ruhet nga forcat e policisë.
“Gjëja e fundit që më tha ishte ‘të dua, shihemi më vonë’”, u shpreh vëllai 11- vjeçar, ndërsa fshinte lotët. “Ajo ishte shumë e zgjuar dhe ka ndikuar që unë të bëhem më i mirë se ç’jam. Më ndihmonte me studimet që të bëhem i suksesshëm në jetë, sepse kjo ishte ajo që dëshironte edhe për veten e saj. Motra ime ishte shumë e dashur dhe kujdesej për mua, çdokund shkonim bashkë. Flisnim gjithmonë për çdo problem tonin”, vijoi i vogli i familjes Lekaj.
“Vajza ime e dashur, ti nuk na ke lënë, do të jesh gjithmonë këtu me ne. Ishe aq e bukur, aq e zgjuar dhe ke prekur kaq shumë njerëz. Jemi të pikëlluar nga humbja e Sabrinës, por ne duam që të kujtojmë kohët e bukura që kemi kaluar. Dua të kujtoj natën e parë që kaluam bashkë pasi të mora nga spitali. Dua të kujtoj ditën e parë kur të mora nga kopshti kur më the: Mos eja të më marrësh para orës 3. Dua të kujtoj të gjithë ditët e bukura, kujtimet e këndshme. Sot, është mundësia për t’i dhënë lamtumirë, por nuk do të ketë kurrë lamtumirë e dashur vajza ime, derisa ne të takohemi sërish bashkë. Do të mbaj gjithmonë në zemrën time”, u shpreh zonja Leskaj për vajzën e saj që nuk jeton më.