Bereta të kuqe dhe uniforma ngjyrë bezhë. Në Rusinë e Putinit, gjithnjë e më shumë të orientuar drejt ushtrisë, edhe fëmijët e vegjël mund të vishen ushtarë.
“YnArmia” është një grupim paramilitar, i krijuar në vitin 2016 ku bëjnë pjesë të rinj dhe të reja, shpesh fëmijë të vegjël, të cilët mësojnë vlerat patriotike por edhe se si të qëllojnë me disa prej armatimeve më të rënda dhe sofistikuara.
I ideuar dhe ngritur nga ministri i Mbrojtjes Sergey Shoigu, Kremlini ka shumë shpresa te ky mjet i ri propagande. Sipas të përditshmes italiane “La stampa”, fillimisht ishin vetëm 2000 kadetë, sot janë të përfshirë 300 000 vullnetarë, të moshave 10 deri 18 vjeç.
Sipas Moskës zyrtare, kjo është një mënyrë shumë e mirë për të motivuar të rinjtë dhe për t’i bërë krenarë për Atdheun. Sigurisht, edhe për t’i përgatitur për përfshirjen në forcat e armatosura. Repartet e “YunArmiya” janë shpërndarë në të 85 krahinat e Federatës Ruse, me bekimin e plotë të Vladimir Putin.