Shumë shpejt, në zonën e Burgajetit në Mat do të rindërtohen Sarajet e Mbretit Ahmet Zogu. Kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj deklaron se ka biseduar me Princin Leka II mbi rindërtimin e këtyre Sarajeve në Burgajet që do të sjellë nxitje të turizmit.
“Me Princin Leka II, diskutuam mbi rindërtimin e Sarajeve në Burgajet.
Rindërtimi i Sarajeve në vendlindjen e Mbretit të parë shqiptar Ahmet Zogu, përveç një detyrim moral për ne është edhe një ndërmarrje që i shërben nxitjes së turizmit dhe promovimit të turizmit në Mat”, shkruan kryebashkiaku Malaj.
Në kodrat e Burgajetit ku dikur ngriheshin madhështore sarajet e familjes Zogolli, sot nuk ka mbetur më as edhe një gur themeli.
E vetmja provë e e atyre sarajeve janë disa foto të vjetra ruajtur në Arkivin e Shtetit, prej të cilave mund të krijohet ideja e qartë të arkitekturës së kësaj banese me tipare aristokrate për kohën e vendin, ku lindi edhe mbreti Zog.
Në kohën kur Burgajeti ishte kryeqendër e Matit në të banonin mbi 1500 banorë. Sarajet, sipas të dhënave dokumentare janë djegur tre herë, ndërsa në fund të Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e komunistëve në pushtet, sarajet e Zogut do të zhdukeshin përfundimisht, për të mos lënë më asnjë gjurmë në atë vend që të mund ta përkujtonte disi mbretin Zog.
Fotot që sjellim në këtë publikim ruhen në Arkivin e Shtetit dhe i përkasin vitit 1920 dhe një në vitin 1935. Në të tre këto foto duken qartë dëmtimet e sarajeve që në atë kohë.
Përpos memories dhe pasurisë historike, rindërtimi i sarajeve pritet që të sjellë dhe një impakt tepër pozitv edhe nër rritjen e numrit të turistëve në këtë zonë mjaft të bukur.



