Mbrëmjen e djeshme Bajern Mynih arriti të fitojë Champions League e gjashtë në historinë e klubit dhe të arkivojë tripletën e dytë në histori, duke barazuar Barcelonën. Goli i Koman dhe pritjet spektakolare të Nojer fiksuan shifrat në 0-1 dhe shndërruan Bajernin në skuadrën e tretë (po aq sa Liverpuli) me më shumë trofe të kompeticionit më të madh në Europë.
Bavarezët tashmë janë gjashtë herë triumfues në Champions, duke lënë pas Barçën (5) dhe qëndruar pas Milanit (7) dhe Real Madrid (13). Jo vetëm kaq, por gjermanët janë skuadra e parë në histori që fitojnë këtë trofe, duke fituar të gjitha ndeshjet. Ata kanë mundur të triumfojnë në të 11-ta sfidat e Champions sivjet.
Gjithashtu, skuadra e Hansi Flik është e pamposhtur në 30 betejat e fundit në të gjitha kompeticionet, duke regjistruar plot 29 fitore dhe vetëm një barazim. Tregues këto të një skuadre, që e nisi sezonin keq dhe vendosi të shkarkojë trajnerin Kovaç. Flik u vendos në krye përkohësisht, por më pas ai tregoi vlerat e tij dhe arriti të bëjë disa zgjedhje dhe të marrë disa vendime, që e shndërruan Bajernin në një “përbindësh”.
“Bisha”, që ndërtoi Flik arriti të shkërrmoqë Barcelonën në çerekfinale me shifrat 8-2 e të shënojë një nga rezultatet më të turpshme në historinë e një klubi të lavdishëm si katalanasit. Ndërkohë vazhdon të ekzistojë një “mit”. Sa herë Barcelona dhe Bajern përballen me njëra-tjetrën në Champions, skuadra që triumfon në këtë duel ngre lart kupën me veshë të gjata
