Duke nisur nga java e ardhshme me mijëra profesionistë të shkencave mjekësore teknike do të vijojnë fazën e dytë të konkurimit për vendet e lira të punës, si: infermier, fizioterapist, logopedi, mami, si dhe teknik imazherie dhe teknik laboratori. Pas vlerësimit të konkurimit me dosje, QSHA ka shpallur tashmë kalendarin me datat e testimit për kandidatët që do të garojnë në secilin profil mjekësor për të siguruar një kontratë pune në poliklinika, qendra shëndetësore dhe spitalet e të gjitha niveleve në vend.
Infermierët janë të parët që do t’i nënshtrohen testit të informatizuar. Duke qenë se numri i kandidatëve që garojnë në këtë profil është shumë i madh, provimet për këtë kategori do të zhvillohen për 11 ditë me radhë. Pas infermierëve provimet do të vijojnë me teknikët e laboratorit, fizioterapisë, mamitë, si dhe në fund teknikët e imazherisë. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar kalendarin me datat e testimit për secilin profil.
Autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit (QSHA) bëjnë me dije se gjatë ditëve në vijim do të bëhet publike edhe lista zyrtare me kandidatët që hyjnë në testim, ku për secilin prej tyre do të jepet i detajuar edhe dita dhe ora se kur duhet të paraqiten për të zhvilluar provimin. “Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, ju bëjmë me dije se orari do të jetë i përcaktuar për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar”, bëjnë me dije autoritetet e QSHA-së.
Sa i takon strukturës së testit, ekspertët e sqarojnë se do të jetë i përbërë nga dy pjesë. Pjesa e parë që përmban pyetje rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërise dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri. Ndërsa pjesa e dytë përmban pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe në specialitett. Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 70 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e pjesës së parë të testit (20 pikë) dhe nga pikët e pjesës së dytë të testit (50 pikë).
Gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në provim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë rregullat e deklaruara, në të kundërt nuk do të lejohet që të japë provimin, duke mbetur kështu jashtë garës së punësimeve të reja deri në ridhënien e këtij testimi në një fazë tjetër. Kështu, në ditën e provimit, çdo kandidat duhet të paraqitet pranë QSHA-së, i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër nga kandidatët e tjerë, të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit, si dhe të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e provimit.
“Kandidati duhet të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta para fillimit provimit dhe duhet të jetë i pajisur me: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal), kopje të Kartës ID ose Pasaportës, si dhe faturën e pagesës (me vulën e bankës përkatëse) së tarifës së zhvillimit të këtij testi. Kandidatëve të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk do të mund të marrin pjesë në provim”, bëjnë me dije autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Po ashtu gjatë zhvillimit të provimit ndalohet mbajtja dhe përdorimi i celularëve apo mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter moskualifikimi, ndalohet komunikimi me kandidatët e tjerë gjatë zhvillimit të provimit deri në marrjen e deklaratës së rezultatit, ndalohet lëvizja përtej vendit të përcaktuar për zhvillimin e provimit, si dhe nuk lejohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit. Në fund të testimit kandidati firmos procesverbalin e pjesëmarrjes dhe rezultatit të marrë.
Punësimet e reja në shëndetësi
Vlerësimi i çdo kandidati përfshin pikët e fituara në fazën e parë të konkurimit me dosje, si dhe pikët e siguruara nga testimi i informatizuar. Sipas skemës së përcaktuar më herët, vlerësimi i dosjes së kandidatëve konsiston në vlerësimin e arsimimit, të përvojës e të trajnimeve, të lidhura me fushën e studimit të kryer dhe punës në këtë profil. Në këtë fazë ju mund të grumbulloni deri në 30 pikë. Ndërsa në fazën e dytë “Testimi i informatizuar”, ku marrin pjesë vetëm kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të vlerësimit me dosje, ju mund të siguroni deri në 70 pikë. Pas mbledhjes së këtyre pikëve, kandidatët që kanë nivelin më të lartë të pikëve do të ftohen të parët për të zgjedhur vendet e punës sipas preferencave.
Rregullat që duhet të zbatoni gjatë paraqitjes në provim:
- Kandidati duhet të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar dhe të jetë i pajisur me mjetet mbrojtëse kundër Covid-19, maskë dhe doreza plastike.
- Duhet të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5 -2 metër nga kandidatët e tjerë.
- Duhet të keni me vete vetëm dokumentet e kërkuara: -Letërnjoftim Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal dhe nga një kopje të tyre, si dhe faturën origjinale të pagesës (me vulën e bankës përkatëse) së tarifës së provimit për llogari të QSHA-së.
- Duhet të keni me vete vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit.
- Nuk duhet të mbani me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e provimit.
TESTI PËRBËHET NGA DY PJESË:
- Pjesa e parë përmban pyetje rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërise dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri.
- Pjesa e dytë përmban pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe në specialitete.
- Vlerësimi përfundimtar i kandidatit në testim bëhet me sistemin e 70 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e pjesës së parë të testit (20 pikë) dhe nga pikët e pjesës së dytë të testit (50 pikë).