Humbja e PD-së, rikthimi i Bashës dhe kaosi në selinë blu, do të marrin zgjidhje këtë javë. Gazment Bardhi, i cili tashmë mban dy postet më të rëndësishme në parti pas kryetarit, atë të Sekretarit të Përgjithshëm dhe kreut të grupit parlamentar ka thirrur sot deputetët dhe nesër kryesinë e PD, me qëllim vlerësimin e situatës politike, e veçanërisht hapat që duhet të marrë PD në ringritjen e saj, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të ri.
PD është e ndarë në 2 qëndrime kryesore, i pari që PD të futet në garën për kryetarin sa më shpejt, duke vulosur përfundimisht ndarjen me PD e Rithemelimit, që vijon të drejtohet nga Sali Berisha edhe pse KQZ nuk e legjitimoi si kryetar.
Grupi tjetër, kërkon më shumë kohë për këtë proces, duke kërkuar fillimisht kohën e nevojshme të reflektimit dhe lënies hapësirë për të tjera negociata bashkimi me PD e Rithemeluar, e më tej drejtimin përmes një organi kolegjial të dy PD-ve deri në zgjedhjen e kreut të ri.
Ky skenar duket i vështirë sa kohë asnjëra nga palët nuk po bën përpjekje konkrete për bashkimin, edhe pas humbjes së thellë më 14 maj, dhe kur Sali Berisha ka deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga drejtimi i demokratëve që e mbështesin.
